Aktorja Gwyneth Paltrow, ka rikujtuar emocionet që përjetoi pas fitimit të çmimit “Oscar”, duke e përshkruar atë moment si një kthesë të madhe në jetën e saj.
Aktorja 53-vjeçare fitoi çmimin “Oscar” për “Aktoren më të Mirë” për rolin në filmin romantik “Shakespeare in Love” të vitit 1998.
Ajo ka thënë se kjo arritje pati një ndikim të jashtëzakonshëm në jetën e saj, veçanërisht sepse ishte shumë e re në atë kohë.
“U ndjeva sikur kishte ndodhur diçka e jashtëzakonshme. Ishte një ndryshim i madh energjie dhe ishte shumë mbingarkuese. Unë isha vetëm 26 vjeçe”, ka thënë Paltrow për revistën Variety, ndërkohë që po fliste me kolegun e saj, aktorin Jacob Elordi.

Ajo shtoi se, nëse do të kishte mundësi t’i fliste vetes së saj në atë moshë, do t’i jepte disa këshilla të rëndësishme.
“Nëse do të kthehesha pas në kohë, do t’i thosha vetes: merr kohën tënde. Njihu sa më mirë me veten dhe merr vendime nga ajo pikë. Ngadalëso ritmin, puno me njerëz të mirë dhe mos u vetkritiko kaq shumë gjatë rrugës”, ka thënë ajo.
Paltrow pati sukses të madh shumë herët në karrierë, por më pas u tërhoq nga Hollywoodi për t’u përqendruar në ndërtimin e brendit të saj të mirëqenies, “Goop”.
Ajo ka pranuar se industria e filmit ka ndryshuar ndjeshëm gjatë 30 vjetëve të fundit.
“Ka ndryshuar shumë, kanë ndryshuar modelet e biznesit dhe mënyra se si gjithçka është komercializuar”, ka thënë ajo.
Ndërkohë, aktorja ka folur edhe për ndikimin e rrjeteve sociale, duke i përshkruar ato si “shumë ankthshkaktuese”.

Ajo thotë se, edhe pse ndonjëherë është e vështirë të lundrosh nëpër platformat sociale, nuk heq dorë nga të qenit vetvetja.
“Nuk mund të shtirem. Nëse hyj aty, do të jem vetvetja dhe do të jem e sinqertë. Kjo jam unë, për mirë apo për keq. Besoj se jam një person autentik”, pati thënë Paltrow për Sky News.
Aktorja, e cila ka mbi nëntë milionë ndjekës në Instagram, ka reduktuar angazhimin në filma për t’u fokusuar te “Goop”, ku është drejtoreshë ekzekutive. Megjithatë, ajo nuk e përjashton një rikthim të plotë në kinema.
“Puna ime si drejtoreshë ekzekutive në ‘Goop’ ma merr gjithë kohën. Por kush e di? Nuk po e kërkoj aktivisht një rikthim, jam shumë e zënë me punën time të përditshme, por kam mësuar të mos them kurrë ‘kurrë’”, ka thënë ajo.