Pakkush nuk do të pajtohej se këngëtarja amerikane, Gwen Stefani, dukej e përkryer në ndarjen e çmimeve Grammy, ku mbërriti me bashkëshortin Blake Shelton. Megjithatë, shumë fansa vunë re ndryshime të mëdha në fytyrën e saj.
50-vjeçarja Gwen në tapetin e kuq u shfaq e veshur në një fustan miniatural dhe çizme të larta, duke i ndryshuar tri herë kombinimet e saj të veshjeve, por mbi të gjitha vëmendjen e tërhoqi me pamjen e saj tepër të freskët, pa asnjë rrudhë në fytyrë, me ten pothuajse porcelan, shkruan KOHA Ditore. Kështu që, menjëherë u shfaqën thashethemet se muzikantja e famshme kohët e fundit gjithnjë e më shumë po u nënshtrohet ndërhyrjeve estetike për t’u dukur sa më e re, sepse nuk ka të ngjarë që me moshën e saj ta arrijë një shkëlqim të tillë vetëm falë kozmetikës ose gjeneve të mira.

Nuk u desh shumë që të fillojnë të qarkullojnë komentet në rrjetet sociale.
"Zot, çfarë i ka bërë Gwen Stefani fytyrës së saj?", "Hej Gwen, mjaft më me operacione plastike dhe botoks në fytyrën tënde të bukur. Po fillon të dukesh si Madonna e rreme," "Fytyra e Gwen Stefani përbëhet nga 99% fillerë dhe 1% lëkurë", "Gwen, çfarë ke bërë kështu? Turp," "Vetëm mos më thoni se kjo është normale dhe natyrale", "Fytyra e saj është e ngrirë, nuk më pëlqen", janë këto vetëm disa nga komentet që qarkullojnë.
Kjo nuk është hera e parë që fansat e kanë vërshuar atë me komente negative për shkak të korrigjimeve të supozuara që i ka bërë në fytyrë. Në prill të vitit të kaluar, ajo u kritikua për rritjen e tepërt të buzëve dhe pamjen plastike, por Gwen të gjitha këto i injoron me vendosmëri dhe deri më tani nuk ka komentuar asgjë në publik për pamjen.