Këngëtarja unike dhe shumë e pëlqyer nga publiku, Gwen Stefani, u nderua me yll në Shtegun e të Famshmëve në Hollywood.
Fituesja e çmimit “Grammy” që dikur ishte vokaliste e grupit “No Doubt”, dhe e cila e gëzoi një karrierë të suksesshme si solo-artiste dhe afariste, filloi të qajë gjatë fjalimit të bashkëshortit të saj, Blake Shelton, në ceremoninë e zbulimit të yllit të saj.
“Gwenin e kam takuar për herë të parë në vitin 2014. Ajo nuk ishte sikur personat tjerë të famshëm. Ajo vinte në punë e vetme me një veturë familjare, të mbushur me ulëse për fëmijë. Nuk përcillej nga sigurimi. Në atë moment e kuptova se, fillimisht ajo ishte një nënë e përkushtuar, dhe kjo ishte detyra më e rëndësishme në botë për të. Kjo ishte puna e saj primare. Tani, dhjetë vjet më vonë mund të them pa asnjë dyshim se, të qenit nënë vazhdon të jetë gjëja më e rëndësishme në jetën e saj. Dhe më duhet ta them se një gjë e tillë është e rrallë në këtë industri. Sot, është kënaqësi për mua ta shoh duke u nderuar për projektet e saj dytësore, si një prej yjeve më të mëdha të muzikës në botë. Për mendimin tim, Gweni është personi i përkryer për t’u nderuar me yll në bulevardin e famës, për kontributin e saj në muzikë, televizion, film dhe modë. Ajo i ka arritur majat e suksesit disa herë gjatë karrierës, me stilin unik që e ka bërë botën të bien ë dashuri me të. Por, jo as sa e dashuroj unë”.
Të pranishëm në ceremoni ishin edhe tre djemtë e Stefanit, Kingston, Zuma dhe Apollo. Këngëtarja i falënderoi ata, me ç’rast i quajti ‘gëzimi më i madh i jetës së saj dhe Sheltonit’.
“Nëse nuk do të ekzistonte shou ‘The Voice’ unë nuk do ta takoja mikun e ngushtë të jetës, që është bashkëshorti im Blake Shelton. Të dua shumë. Ti më ke dhuruar atë lloj dashurie që nuk e kisha përjetuar kurrë më parë. Në momentin që të takova, e kuptova se je shtëpia ime. Jam shumë krenare që je i imi përgjithmonë. Dhe sigurisht, dhurata më e bukur janë fëmijët mi, Kingston, Zuma dhe Apollo. Ju jeni bekimi më i madh jetës sime. Nuk më besohet se kisha fatin të jem nëna juaj. Jam shumë krenare me ju”.
Gwen Stefani po ashtu i falënderoi producentët muzikorë, Jimmy Iovine dhe Irving Azoff, të cilët ishin pjesë e rëndësishme në karrierën dhe arritjet e saj. Që të dy ishin të pranishëm në Los Angeles, për ta nderuar këngëtaren.
“Nuk po mund të besoj se çfarë është duke ndodhur tani. Kjo është një çmenduri. Sa njerëz të fuqishëm po i shoh këtu. Jimmy, Irving, Blake, ju falënderojë të gjithëve që keni ardhur këtu për mua. As në ëndrrat e mia më të largëta nuk e kisha imagjinuar që një vajzë nga Orange County, një ditë do të nderohej me yllin e saj në bulevardin e famës në Hollywood. Por, Jimmy ishte një nga personat e parë që më kishte paralajmëruar për këtë. Në fillimet e mia kur ne sa ishim takuar, Jimmy më tha se pas gjashtë vjetëve unë do të isha një yll i muzikës. U çudita shumë me këto fjalë dhe thash me vete, ‘pas gjashtë vjetëve unë do të jem në shtëpi duke e sjell në jetë fëmijën tim të pestë dhe nuk do të jem në skenë duke kënduar’. Por, ai pati të drejtë. Saktësisht pas gjashtë vjetëve kënga ‘Don’t Speak’ u bë hit anembanë botës”.
Para se të largohej nga skena ajo pozoi për fotografët, e shoqëruar nga familja dhe miqtë e afërt. Aktualisht, Stefani shërben si njëra nga anëtarët e jurisë së shout, “The Voice”, krahas artistëve, John Legend, Reba McEntire dhe Niall Horan.
Përgatiti: Edona Binaku
{gallery}