Gloria Estefan ka deklaruar se është abuzuar seksualisht nga një anëtar i familjes, kur ishte vetëm nëntë vjeç.
Këngëtarja kubano-amerikane 64-vjeçare, ka deklaruar se ajo ishte ngacmuar derisa ndiqte mësimin në shkollën e muzikës, nga dikush të cilit nëna e saj i besonte.
“93% e fëmijëve të abuzuar i njohin dhe u besojnë abuzuesve. Dhe unë e di këtë sepse unë jam një prej tyre”, ka deklaruar ajo.
Këngëtarja e muzikës pop ka folur rreth abuzimit të saj për herë të parë në një shou, në të cilin ishte e pranishme bashkë me vajzën e saj tashmë të rritur, dhe mbesën.
Estefan e cila është e njohur për hitet e saj “Conga” dhe “Rhythm is Gonna Get You”, ka deklaruar se i afërmi kishte shfrytëzuar besimin e nënës së saj, për ta ngacmuar atë.
“Ai ishte anëtar i familjes, por jo i familjes së ngushtë. Ai ishte në pozitën e fuqisë, sepse nëna ime më ka dërguar në shkollën e tij të muzikës dhe ai menjëherë filloi të më thoshte se sa e talentuar isha, dhe se si unë kisha nevojë për vëmendje të posaçme”, ka shpjeguar ajo.
Estefan ka lindur në Kubë mirëpo ishte zhvendosur në Miami të SHBA-së me familje kur ishte fëmijë.
Fituesja e trefishtë e çmimeve “Grammy”, ka deklaruar se abuzuesi e kërcënonte se nëse i tregonte të ëmës, do ta vriste atë.
“I thashë, nuk mund të ndodhë kjo, nuk mund ta bësh këtë, por ai më tha se babai im ishte në Vitenam ndërkaq nëna ishte e vetme, dhe se nëse i tregoja nënës, ai do ta vriste atë”, ka shtuar Estefan.
