Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Gjykatësi vendos që Woodstock 50 mund të mbahet, por pa paratë e investitorëve

Drama e vazhdueshme për Woodstock 50 e ka marrë një kthesë tjetër, pasi që një gjykatës i Gjykatës së Lartë të New Yorkut vendosi që “Dentsu”, kompania japoneze që fillimisht kishte investuar, dhe pastaj i tërhoqi fondet për ngjarjen, nuk ka të drejtë ta anulojë zyrtarisht festivalin.

Në një vendim 10 faqesh, gjykatësi Barry Ostrager deklaroi se festivali nuk ishte më i anuluar, por gjithashtu vendosi që “Denstu” nuk do të duhet t’i kthejë 18 milionë dollarë që kishte tërhequr nga një llogari bankare që e ndante me grupin Woodstock 50.

Organizatorët e festivalit e festuan vendimin si fitore. "Woodstock 50 do të mbahet! Mezi po presim ta sjellim këtë ngjarje të rëndësishme tek publiku këtë verë", deklaroi anëtari menaxherial Gregory Peck përmes një deklarate. Themeluesi i festivalit Michael Lang ishte i të njëjtit mendim, duke thënë "Gjithmonë jemi mbështetur në të vërtetën dhe asnjëherë nuk e kemi humbur besimin se festivali do të mbahet. Dëshiroj t’i falënderoj të gjithë talentët dhe përfaqësuesit e tyre për durimin dhe mbështetjen e tyre. Woodstock 50 do të jetë një përvojë e mrekullueshme dhe frymëzuese e festivalit".

Përkundër fitores ligjore, vendimi i gjyqtarit e lë Woodstock 50 në një pozitë të pasigurt. Megjithëse festivali mund të mbahet sipas planit, diçka që Lang ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se synon ta bëjë, organizatorët përkohësisht kanë mbetur pa para për ta financuar festimin e përvjetorit. Kjo vjen pas një raporti se interpretuesit e festivalit nuk janë më të detyruar të paraqiten në ngjarje. Dokumente të tjera gjyqësore e kanë paraqitur Langun si një njeri që është përpjekur t’i shmangte partnerët nga “Dentsu” dhe “Superfly” për çështjet që përfshijnë kapacitetin e vendit të ngjarjes dhe rezervimin e interpretuesve, shkruan KOHA Ditore.

Woodstock 50 do të duhet ta gjejë shpejt mbështetjen e duhur financiare, ta sigurojë një formacion të garantuar artistësh dhe t’i marrë lejet e nevojshme për ta organizuar ngjarjen për 75.000 persona, nëse dëshiron të organizohet me kohë për datat e planifikuara 16-18 gusht.