Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Gjykata jep vendimin mbi padinë e Johnny Depp ndaj “The Sun”

Një gjykatës britanik të hënën vendosë nëse gazeta "The Sun" kishte shpifur kundër Johnny Depp kur e quajti “rrahës bashkëshorteje”, një ngjarje që pati ndikim të madh në karrierën e tij dhe të ish-gruas Amber Heard.

Gjykatësi Andrew Nicol do të lëshojë vendimin në formë të shkruar, tre muaj pas përfundimit të gjyqit që zbuloi detaje të zymta nga martesa e çiftit, transmeton KOHA.

Depp ka ngritur padi ndaj gazetës The Sun dhe kryeredaktorit të saj, Dan Wootton, për një artikull të vitit 2018 që akuzoi atë për sulm ndaj Heardit.

Aktorja Heard e cila dëshmoi si dëshmitarja kryesore në gjyq, tha se Depp ishte shndërruar në njeri i dhunshëm. Ajo kishte treguar mbi 14 incidente të ndara mes viteve 2013 dhe 2016, ku ai e kishte goditur, e kishte kapë për flokë dhe i kishte hedhur shishe mbi të. Akuzat e pretenduara nga ajo, kishin ndodhur në shtëpinë e tyre luksoze, në ishullin privat të Deppit, raporton AP.

Ndërsa, Depp duke mohuar akuzat, tha se Heard ishte agresori gjatë marrëdhënies së tyre. Ai tha se ajo e kishte goditur atë. Depp kishte pranuar se ishte përdorues i drogave, por mohoi se ato e bënin atë të dhunshëm.