Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Gjykata hedh poshtë padinë e Baldonit kundër Livelyt pasi ai u vonua të paraqesë dokumentet

Blake Lively dhe Justin Baldoni

Blake Lively dhe Justin Baldoni

Rasti prej 400 milionë dollarësh i aktorit, Justin Baldoni kundër koleges së tij, aktores, Blake Lively është mbyllur zyrtarisht pasi aktori dhe regjisori nuk e dorëzoi padinë e tij të përmirësuar brenda afatit që kishte caktuar gjykata, ka raportuar BBC.

Dy yjet e filmit të vitit 2024, “It Ends with Us”, janë përfshirë në një betejë të ashpër ligjore që nga muaji dhjetor i vitit të kaluar, kur Lively paditi Baldonin duke e akuzuar për ngacmim seksual dhe për fushatë shpifëse kundër saj.

Në kundërpërgjigje, Baldoni ngriti padi ndaj saj, bashkëshortit të saj Ryan Reynolds, publicistes së tyre dhe gazetës The New York Times, duke i akuzuar për “shantazh civil, shpifje dhe cenim të privatësisë”.

Pasi padia e Baldonit u rrëzua në muajin qershor, gjykatësi Lewis Liman i dha atij mundësinë të dorëzonte një version të rishikuar të pretendimeve, por ai nuk e bëri.

“Më 17 tetor kontaktova të gjitha palët për t’i paralajmëruar se do të nxirrja një vendim përfundimtar. Vetëm zonja Lively u përgjigj, duke kërkuar që vendimi përfundimtar të shpallej, por që kërkesa e saj për mbulimin e shpenzimeve ligjore të mbetej aktive. Gjykata pajtohet”, ka shkruar gjykatësi Liman.

Edhe Justin Baldoni do t’ia paguajë Blake Livelyt gati 400 mijë dollarë për shpenzimet ligjore Showbiz Justin Baldoni do t’ia paguajë Blake Livelyt gati 400 mijë dollarë për shpenzimet ligjore

Padia fillestare e Livelyt kundër Baldonit, megjithatë, mbetet ende e hapur.

Pas rrëzimit të padisë në muajin qershor, ekipi ligjor i aktores e quajti vendimin “fitore të plotë dhe konfirmim të plotë të së vërtetës”. 

Nga ana tjetër, avokati i Baldonit reagoi duke thënë se “deklarata e parashikueshme e fitores nga Lively është e rreme” dhe se “me faktet në anën tonë, ne do të ecim përpara”.

“Edhe pse gjykata rrëzoi akuzat për shpifje, na lejoi të rishkruajmë katër nga shtatë pretendimet kundër zonjës Lively, të cilat do të përfshijnë prova shtesë dhe akuza të përmirësuara”, ka shtuar ai.

Megjithatë, sipas vendimit të fundit, këto pretendime të rishkruara nuk u paraqitën asnjëherë.

Edhe Pas marrëveshjes jashtë gjykatës, Baldoni dhe Lively përballen për shpenzimet ligjore Showbiz Pas marrëveshjes jashtë gjykatës, Baldoni dhe Lively përballen për shpenzimet ligjore

Në vendimin e mëparshëm të muajit qershor, gjykatësi Liman kishte shpjeguar se padia e Baldonit bazohej në dy pretendime: se Lively “ia vodhi filmin” atij dhe kompanisë së tij “Wayfarer” duke kërcënuar se nuk do ta promovonte, dhe se ajo kishte shpërndarë “një narrativë të rreme” duke e akuzuar për sulm seksual dhe shpifje.

Por gjykata ka konstatuar se Baldoni “nuk ka paraqitur prova që kërcënimet e Livelyt përbëjnë shantazh të paligjshëm, përveçse një formë negociimi të ashpër ose rinegocimi të kushteve të punës”.

Gjithashtu, pretendimet për shpifje u hodhën poshtë pasi u vlerësua se “‘Wayfarer’ nuk ka treguar se Lively është përgjegjëse për ndonjë deklaratë tjetër përveç atyre në padinë e saj, të cilat janë të mbrojtura me ligj”.

Sa i përket padisë prej 250 milionë dollarësh kundër The New York Times, gjykatësi Liman ka theksuar se nuk kishte dëshmi që gazeta “ka vepruar me keqdashje të qëllimshme”.

Edhe Blake Lively dhe Justin Baldoni mbyllin betejën ligjore pa dëmshpërblim mes palëve Showbiz Blake Lively dhe Justin Baldoni mbyllin betejën ligjore pa dëmshpërblim mes palëve

“Faktet tregojnë se The Times shqyrtoi provat e disponueshme dhe raportoi, ndoshta në mënyrë të dramatizuar, atë që besonte se kishte ndodhur. Gazeta nuk kishte asnjë arsye të favorshme për versionin e ngjarjeve të Livelyt”, ka thënë ai.

As Baldoni dhe as kompania e tij “Wayfarer” nuk kanë komentuar ende mbi vendimin e fundit.