Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Gjuha spanjolle trend në muzikën shqiptare

Çdo verë, jo vetëm këngët shqiptare por mbarë tregu botëror i muzikës nuk mund t’iu përmbahet ritmeve latine. Viteve të fundit, muzika latine, si shumë trende të tjera, po rikthehet suksesshëm në treg, duke kryesuar toplistat botërore falë artistëve si: Luis Fonsi, Daddy Yankee, J. Balvin, Maluma etj.

Kujtojmë vitet e 90-të, ishin Ricky Martin, Jenifer Lopez dhe Enrique Iglesias, të cilët sollën ritmet latine në tregun botëror të muzikës. Ndryshe nga ato vite, sot këto ritme vijnë në gjuhën e tyre origjinale dhe jo në anglisht, transmeton emisioni Express në KTV.

Kërkesa për muzikën latine duket se i ka bërë edhe këngëtarët shqiptarë që për pak kohë t’i lënë anash shprehjet në anglisht dhe t’i zëvendësojnë me ato në spanjisht. Nuk po bëhet fjalë për një apo dy fjalë në mes të këngëve, por në një masë më të madhe. Pas anglishtes, e cila është bërë gjuha e dytë e këngëtarëve shqiptarë, tingujt spanjoll po dëgjohen në shumë prodhime artistike në vend dhe rajon.

Duket se gjithçka ka filluar vitin e kaluar me lansimin e këngës “Karma” nga Flori Mumajesi, Burno, Dj Vicky dhe Kaljdi. Befasues ishte fakti se djemtë e “Threedots” këndojnë gjatë gjithë kohës në spanjisht dhe duhet thënë se e kanë përvetësuar aq mirë këtë gjuhë, sa vështirë ta dallojmë që nuk e kanë gjuhën e tyre të parë. Kënga u pëlqye shumë, madje arriti të dëgjohet në shumë vende të tjera të botës.

Këtë ritëm Flori Mumajesi e vazhdoi edhe në këngën “Trëndafil”, në bashkëpunim me Dhurata Dorën. Përveç tjerash, frymë latine pati edhe videoklipi, i cili u pëlqye mjaft shumë, ndërsa kënga vazhdon të dëgjohet ende.

Një këngë në gjuhën spanjolle, me tinguj latin, madje edhe në bashkëpunim me këngëtar latin, e solli Soni Malaj në qershor të këtij viti. “En la Intimidad” u titullua kënga, e cila këndohet e gjitha në gjuhën spanjolle nga Soni dhe Joweel Gram.

Edhe Spanjishtja po kthehet në gjuhën më të pëlqyer në botë Lifestyle Spanjishtja po kthehet në gjuhën më të pëlqyer në botë

Përveç disa fjalëve në spanjisht dhe ritmeve latine, rep këngëtari Capital T zbuloi edhe talentin e tij në vallëzim, e pikërisht në vallëzimin latin. Fjala është për këngën “O Ma” që u publikua këtë verë dhe e cila arriti të shndërrohet në hit.

E kur jemi te sezoni veror, këngëtarë të shumtë kanë preferuar të paktën t’i titullojnë këngët në gjuhën spanjolle. Dafina Zeqiri hitin e saj të fundit e ka titulluar "Fuego", Tuna "Chonga", Tayna "Columbiana", Sparksi e Fero "Mamasita", duke vazhduar me Genta Ismajlin, Ronela Hajatin dhe Stinen, të cilët kanë fjali të plota në gjuhën spanjolle.