Showbiz

Enrique Iglesias u rikthehet toplistave me këngën “Así Es La Vida”

Kanë kaluar më shumë se shtatë vjet, por Enrique Iglesias rikthehet në top-dhjetëshe të toplistës “Billboard Tropical Airplay” me bashkëpunimin e tij të parë me këngëtaren latine, Maria Becerra. Kjo pasi kënga e tyre e re “Así Es La Vida” arriti të debutojë në vendin e shtatë të toplistës në fjalë.

Projekti njëherësh e shënon renditjen më të lartë të yllit spanjoll, Iglesias, nga viti 2013. Kurse për këngëtaren 23-vjeçare nga Argjentina, kjo është hera e dytë që futet në top-dhjetëshe të “Billboard Tropical Airplay”.

Kënga e shoqëruar me videoclip u lansua më 28 shtator përmes studios incizuese, “Sony Music Latin”, dhe vjen si ‘singli’ i parë i albumit të ardhshëm të Iglesias, “Final Vol. 2”. Producent i saj është Carlos Paucar, bashkëpunëtor i kamotshëm i këngëtarit.

Me “Así Es La Vida”, nuk është hera e parë që Iglesias e shënon një sukses të tillë me një këngë të zhanrit bachata. Debutim të ngjashëm shënoi në vitin 2014 me këngën “El Perdedor”, të cilën e solli në bashkëpunim me Marco Antonio Solis. Por, kjo është hera e parë që ai bashkëpunon me një artiste në dekadën e fundit.

Gjatë karrierës muzikore, Iglesias i ka lansuar 11 albume të incizuara në studio me muzika e tij është shkarkuar dhjetëra miliarda herë në platformat muzikore. Po ashtu i ka realizuar më shumë se 80 këngë me videoklipe të cilat kanë arritur t’i marrin rreth 17 miliardë klikime. Mbi 10 milionë njerëz i kanë ndjekur koncertet e tij anembanë botës.

Këngëtari 48-vjeçar është i martuar me ish-yllin e tenisit, Anna Kournikova, me të cilën i ka tre fëmijë.

Përgatiti: Edona Binaku