Lifestyle

Spanjishtja po kthehet në gjuhën më të pëlqyer në botë

Bad Bunny gjatë performancës në “SuperBowl” 2026

Bad Bunny gjatë performancës në “SuperBowl” 2026

Foto: Associated Press

Siç tregoi artisti latin, Bad Bunny, përmes performancës në “SuperBowl”, spanjishtja po bëhet trend. S’ka dyshim që tash është gjuha më e kërkuar për t’u mësuar, ka shkruar kolumnisti i The Guardian, Gary Nunn.

“Now, Gary, repeat after me: Quiero una margarita, por favor,” (Tani Gery, përsërit pas meje: Dua një margarita, të lutem) tregon ai se i ka thënë mësuesja e spanjishtes.

Ai e përshkruan shqiptimin e tij si një përzierje të çuditshme theksi anglez me spanjisht, sikur personazhi Del Boy të porosiste një koktej: “Key- yeah- row oon margari’a, pour far four.”

Në vitin 2023, në moshën 41-vjeçare, ai jetonte në Argjentinë dhe përjetonte frustrimin e të mësuarit të një gjuhe të re në moshë të rritur. Ai e ndiente mungesën e “trurit elastik 11-vjeçar” dhe e kuptonte se sa shumë do ta kishte ndihmuar në jetë nëse në shkollë do të kishte mësuar spanjisht në vend të frëngjishtes.

Ai thekson se nuk ka asgjë kundër frëngjishtes duke thënë se është një gjuhë e bukur dhe ai e ka studiuar deri në vitin e parë të universitetit, madje ka punuar tri vera në Nice. Por sipas tij, spanjishtja do ta kishte përgatitur më mirë për jetën, dhe kjo është edhe më e vërtetë për nxënësit e sotëm.

Nga pikëpamja numerike, argumenti është i fortë. Spanjishtja është gjuha e dytë më e folur në botë si gjuhë amtare, me rreth 484 milionë folës. Frëngjishtja renditet shumë më poshtë, me rreth 74 milionë folës amtarë. Edhe në totalin e përgjithshëm të folësve, spanjishtja e tejkalon ndjeshëm frëngjishten.

Logjikisht, sipas Nunnit, shkollat do të duhej të ofronin spanjishten të paktën po aq sa frëngjishten.

Por realiteti në Britani tregon të kundërtën. Deri në vitin 2025, frëngjishtja ofrohej në rreth 70 për qind të shkollave fillore në Britani, ndërsa spanjishtja vetëm në 26 për qind. Edhe në arsimin e mesëm, frëngjishtja vazhdon të dominojë si zgjedhje.

Megjithatë, trendi po ndryshon nga vetë nxënësit.

Në muajin gusht të vitit të kaluar, për herë të parë në Angli, spanjishtja u bë gjuha më e zgjedhur në provimet GCSE, me mbi 136 mijë regjistrime, duke lënë pas frëngjishten me më pak se 133 mijë. Edhe në Skoci, spanjishtja e kaloi frëngjishten në vitin 2024 për këtë grupmoshë.

Nunni ka thënë se kjo tregon se nxënësit po e kuptojnë më shpejt realitetin global sesa sistemi arsimor.

Ekspertët e gjuhëve bien dakord se sa më herët të fillojë mësimi, aq më mirë. Ligjëruesja e psikologjisë zhvillimore, Eleonore Smalle, ka deklaruar në OKB se mësimi i një gjuhe të re bëhet më i vështirë pas moshës 12-vjeçare.

Para kësaj moshe, fëmijët e përvetësojnë gjuhën në mënyrë të pavetëdijshme, përmes ekspozimit të vazhdueshëm, dhe njohuritë “ngjiten” natyrshëm.

Sipas autorit, nxënësve duhet t’u tregohen qartë avantazhet dhe disavantazhet e secilës gjuhë, por edhe dobia konkrete e spanjishtes. Përveç numrave, spanjishtja ofron mundësi më të mëdha punësimi, ndikim kulturor dhe perspektiva të reja për të rinjtë që duan të punojnë në distancë si “nomadë digjitalë”, sidomos pas Brexitit.

Ai shkruan se nëse dikush do t’i kishte thënë që në moshë të re se duke mësuar spanjisht mund të punonte nga distanca në Amerikën Latine dhe të kërcente salsa me “guapo men” (me burra të bukur) në klube nate, do të kishte pasur një motivim shumë më të madh.

Ndërkohë, kultura latine po fiton gjithnjë e më shumë terren globalisht.

Në Medellín dëgjohen kudo këngët e yjeve si Karol G dhe Maluma.

Ylli i mirënjohur, Bad Bunny, u bë artisti i parë në gjuhën spanjolle që drejtoi shfaqjen  në pauzën ndërmjet dy pjesëve të lojës së futbollit amerikan, “SuperBowl”.

Ndërkohë, këngëtarja Rosalía është ndër artistet më kreative dhe më të suksesshme të momentit.

Autori i librit “Learning Spanish has never been cooler” (Mësimi i spanjishtes s’ka qenë kurrë më “cool”), ka thënë se duke u mbështetur kryesisht te frëngjishtja, shkollat po mbeten të lidhura me një të kaluar që vlerëson afërsinë me Francën dhe prestigjin historik të saj. Sigurisht, nuk është çështje përjashtimi: frëngjishtja mbetet gjuhë e rëndësishme, është gjuhë zyrtare e Lojërave Olimpike dhe e OKB-së, si dhe gjuha amtare e këngëtares së mirënjohur, Céline Dion.

Por realiteti social ka ndryshuar.

Familjet punëtore britanike pushojnë më shpesh në Benidorm apo Lanzarote, jo në Cannes apo Monaco. Qendrat e reja për nomadët digjitalë janë në qytete spanjishtfolëse si Medellín apo Buenos Aires.

Në fund, autori rikthehet te përvoja personale.

Dy vite pasi porositi me nervozizëm “margaritën” e tij në një spanjishte të çalë, sot ai mund të kërkojë një listë verërash (malbec, malbec apo malbec?) në spanjishte pothuajse korrekte.

“Unë ende tingëlloj si Del Boy”, shkruan ai, “por më kuptojnë në 20 vende të ndryshme. Que rico (sa e shijshme)”.

Sipas tij, nëse njerëzit duan që të rinjtë të jenë qytetarë globalë, duhet t’u ofrojnë mundësi reale dhe informacion të plotë për të zgjedhur gjuhën që i përgatit më mirë për botën e sotme.

 si reale dhe informacion të plotë për të zgjedhur gjuhën që i përgatit më mirë për botën e sotme.