Showbiz

Gigi dhe Bella Hadid prezantojnë motrën e tyre të panjohur deri më tani

Gigi dhe Bella Hadid

Gigi dhe Bella Hadid

Foto: Associated Press

Supermodelet Gigi dhe Bella Hadid kanë bërë një njoftim befasues. Ato kanë një motër tjetër nga babai, të quajtur Aydan Nix, e cila është 23 vjeç. Lajmi u konfirmua përmes një deklarate që motrat ndanë me Daily Mail të enjten, ka raportuar People.

Aydan është vajza e Mohamed Hadid dhe Terri Hatfield Dull, pas një “romance të shkurtër” mes tyre, që ndodhi pas ndarjes së Mohamed nga Yolanda Hadid (nënës së Gigit dhe Bellas) në vitin 2001.

Gigi (30 vjeçe) dhe Bella (28 vjeçe) kanë thënë se Aydan ka jetuar në Florida dhe është rritur me një burrë që e quante babain e saj, deri kur ai vdiq papritur kur ajo ishte 19 vjeç.

Pas vdekjes së tij, Aydan bëri një test gjenetik nga kurioziteti, dhe zbuloi lidhjen e saj biologjike me fëmijët Hadid.

“U lidhëm për herë të parë në fund të vitit 2023, dhe që nga ai moment, e kemi përqafuar Aydanin me zemër të hapur”, thuhet në deklaratën e Gigi dhe Bellës.

Sipas tyre, Aydan ka kaluar kohë me të gjithë familjen, përfshirë edhe babain e saj biologjik, Mohamedin.

“Kemi çmuar këtë shtim të papritur dhe të bukur në familjen tonë. Si motra dhe vëllezër, kemi pasur shumë biseda të hapura dhe plot dashuri, edhe me Aydanin, për mënyrën se si mund ta mbështesim dhe ta mbrojmë atë”, thuhet në deklaratën e Gigit e Bellas.

Në deklaratë theksohet se Aydan dhe familja e saj vlerësojnë privatësinë dhe kërkojnë që edhe publiku ta respektojë këtë dëshirë.

“Aydan dhe familja e saj vlerësojnë privatësinë, dhe ne e respektojmë plotësisht këtë. Ju lutemi të tjerëve që të bëjnë të njëjtën gjë dhe të nderojnë të drejtën e saj për anonimitet ndërsa ajo vazhdon jetën si një vajzë e re në New York”, thuhet tutje në deklaratën e supermodeleve.

Sipas Daily Mail, lidhja mes Mohamed Hadid dhe Dull përfundoi përpara se ajo të mësonte që ishte shtatzënë. Megjithatë, sipas burimeve të afërta me familjen, Hadid ka qenë gjithmonë në dijeni për ekzistencën e Aydanit, ndonëse nuk ka ofruar ndihmë financiare.

Një burim familjar ka thënë për Daily Mail se marrëdhënia mes Mohamed dhe vajzës së tij më të vogël është “e këndshme”.

“Ka respekt të ndërsjellë, por edhe diskrecion”, ka thënë burimi.

Thuhet se Mohamed kishte planifikuar të merrte pjesë në ceremoninë e diplomimit të Aydan në Parsons School of Design në muajin maj, por e anuloi pjesëmarrjen rreth një javë para ngjarjes.

Aydan, e cila tashmë jeton në New York, aspiron të punojë në industrinë e modës si disenjatore, stiliste dhe influencuese.

Mohamed Hadid ka gjithashtu tre fëmijë të tjerë: Gigi, Bella dhe Anwar (25 vjeç) me Yolanda Hadid, si dhe dy vajza më të mëdha, Marielle (44 vjeçe) dhe Alana (41 vjeçe), me gruan e tij të parë, Mary Butler.