Një bashkëpunim i papublikuar mes ikonave George Michael dhe Sir Elton John mund të jetë drejt realizimit, sipas Andros Georgiou kushëririt dhe ish-menaxherit të këngëtarit të ndjerë, ka shkruar FemaleFirst.
George Michael, i cili u nda nga jeta në muajin dhjetor të vitit 2016, kishte incizuar një këngë me Elton John të titulluar “This Kind Of Love”. Tani Georgiou shpreson të marrë lejen e Elton Johnit për të bashkuar vokalet e të dy artistëve dhe për ta përfunduar këngën.
Duke folur për dokumentarin “Trojan Souls”, që tregon historinë e krijimit të albumit të George Michael me të njëjtin emër, Georgiou ka thënë se Johni kishte respekt të jashtëzakonshëm për këngëtarin.
“Elton erdhi për të regjistruar këngën ‘This Kind Of Love’. Kam një intervistë të jashtëzakonshme me Eltonin që askush nuk e ka parë ende”, ka thënë ai.
Sipas tij, John kishte thënë se do të bënte gjithçka për Michaelin.
Edhe
Si ishte Michael Jackson si baba, rrëfen djali i tij
“E dija që në moshën 21-vjeçare ai kishte fituar çmimin Ivor Novello, diçka që askush nuk e kishte bërë më parë. Kur mora telefonatën për të bashkëpunuar me të, thashë po pa u menduar”, ka thënë ai.
Georgiou ka shpjeguar se dëshira e tij është që të krijojë versionin përfundimtar të këngës.
“Unë kam vokalin e Georgeit dhe vokalin e Eltonit. Ëndrra është t’i bashkojmë në një këngë të re. Duhet të kërkoj lejen e Eltonit, por besoj se ai do të pranonte, sepse ishte shumë i impresionuar nga kënga dhe ishte një mbështetës i madh i George”, ka thënë ai.
John dhe Michael kishin bashkëpunuar më parë në versionin e ri të këngës “Don’t Let the Sun Go Down on Me”, të cilën e interpretuan fillimisht në koncertin Live Aid në vitin 1985. Kënga më pas u bë një hit i madh, duke arritur vendin e parë në toplistat në Britani dhe vendin e dytë në SHBA në fillim të viteve ’90.
Edhe
Kylie Minogue shpreh dëshirën për bashkëpunim me Madonnan
Pas vdekjes së Michaelit, John e ka kujtuar atë me shumë emocione, duke e cilësuar si një nga artistët më të mëdhenj.
“George ishte një nga kompozitorët më të shkëlqyer që ka prodhuar ky vend dhe padyshim një nga zërat më të mirë në botë. Ai ishte njeriu më i sjellshëm dhe më bujar. E bënte këtë pa kërkuar kurrë vëmendje. Do të më mungojë shumë për muzikën e tij, por mbi të gjitha për humanizmin e tij”, ka thënë John.