Showbiz

Filmi “Lilo and Stitch” mposht “Mission: Impossible – The Final Reckoning” në arkat filmike në vikend

Skenë nga filmi "Lilo and Stitch"

Skenë nga filmi "Lilo and Stitch"

Rikrijimi në formën “Live Action” i filmit të animuar të kompanisë “Disney”, “Lilo and Stitch” dhe filmi më i ri i aktorit Tom Cruise në serinë “Mission: Impossible” u shfaqën si dy prej filmave më të mëdhenj të vitit, në një fundjavë rekord për arkat filmike, ka raportuar BBC.

Traileri i filmit Lilo dhe Stitch”:

Sipas Variety, “Lilo dhe Stitch”, që rikthen në ekran filmin familjar të vitit 2002, tejkaloi pritshmëritë duke grumbulluar 341 milionë dollarë në arkat filmike në mbarë botën. Ky është debutimi i dytë më i madh i vitit 2025 deri tani, pas filmit “A Minecraft Movie”, dhe gjithashtu thyen rekordin për fundjavën e Ditës së përkujtimit (Memorial Day) në SHBA, e cila është ditë përkujtimi për ushtarët amerikanë.

Ndërkohë, “Mission: Impossible – The Final Reckoning”, filmi i tetë në serinë e njohur me Cruisen në rolin e Ethan Hunt, pati një hapje gjithashtu të madhe me 190 milionë dollarë të ardhura nga biletat.

Traileri i filmit: “Mission: Impossible – The Final Reckoning”,

Cruise, i cili luan agjentin Ethan Hunt që nga viti 1996, duke folur për The Hollywood Reporter pati thënë për filmin e fundit: “Është finalja! Nuk quhet ‘finale’ kot.”
Megjithatë, ka dyshime nëse kjo do të jetë me të vërtetë përmbyllja e serisë.

Filmi ka marrë vlerësime pozitive nga disa media të mëdha.

The Guardian e ka cilësuar si “aventurë jashtëzakonisht argëtuese” dhe i ka dhënë pesë yje, ndërsa Vanity Fair e përshkroi si “një përshëndetje e denjë” për serinë.

Por jo të gjithë u impresionuan.

The Hollywood Reporter e quajti filmin “një lamtumirë zhgënjyese”, ndërsa Mashable ka shkruar se seria po rrezikon të përfundojë me “psherëtimën e vakët të një grupi aktorësh që vetëshkatërrohen në një magnetofon”.

Nga ana tjetër, “Lilo dhe Stitch” është pjesë e vazhdës së gjatë të ripërpunimeve “live-action” nga “Disney”, dhe sipas Variety, ka pasur hapjen e tretë më të madhe të të gjitha kohërave për këtë zhanër, pas filmit “The Lion King” (në vitin 2019) dhe “Beauty and the Beast” (në vitin 2017).

Në këtë version të ri luajnë Courtney B. Vance dhe Zach Galifianakis, krahas aktores së re tetëvjeçare Maia Kealoha dhe një krijese jashtëtokësore, të krijuar me efekte kompjuterike.

Ashtu si mjaft ripërpunime të tjera, filmi ka marrë komente të përziera nga kritika.

The Daily Beast e përshkroi si “i gëzuar, i çuditshëm dhe i ëmbël”, ndërsa The Times ishte më i ashpër, duke e quajtur filmin “një tmerr që të mpin mendjen”.