Showbiz

Cruise rikthehet me “Mission: Impossible – The Final Reckoning” në Festivalin e Cannesit

Tom Cruise

Foto: Associated Press

Aktori i famshëm Tom Cruise, në moshën 62-vjeçare, po lëviz me energji të madhe për të promovuar filmin e fundit të sagës që e ka bërë të famshëm në kinematografi. 

Cruise gjendet në Festivalin e Cannesit për ta promovuar filmin “Mission: Impossible – The Final Reckoning”. 

Filmi u prezantua mes yjeve të tjerë si Denzel Washington, Scarlett Johansson, Jennifer Lawrence, Halle Berry dhe Paul Mescal, ka shkruar Variety.

Cruise ka ndërtuar karrierë prej gati 45 vjetësh dhe seria e filmave  “Mission: Impossible” është kulmi i saj. Filmi i parë në seri ishte gjithashtu i pari që ai vetë e prodhoi. Tani, sipas Variety, “The Final Reckoning” përfaqëson një test të madh për trashëgiminë e aktorit.

“Ai ka bërë një fushatë në rrjetet sociale siç nuk kam parë ndonjëherë më parë. Por ia vlen, sepse ky film është ekuivalenti kinematografik i udhëtimit më të madh në një park argëtues” ka thënë Paul Dergarabedian, analist i lartë në Comscore.

VIDEO:

Për të tërhequr vëmendjen globale, Cruise ka shkuar përtej normales, u ngjit në majë të kinemasë gjigante BFI Imax në Londër, dhe një ditë më pas kërceu nga një helikopter me një kamerë të lidhur në trup. Ndoshta më befasues ishte intervista e tij në TikTok, që po konsiderohet si diçka e rrallë për një aktor të këtij kalibri, që shpesh shmang platformat sociale.

Sipas Variety, Cruise dhe ekipi i tij po e paraqesin filmin si një ngjarje të madhe, sidomos në formatet premium si IMAX. Ata synojnë që ky të mos jetë thjesht një tjetër film aksioni, por një përvojë që ringjall dashurinë për kinema, pas një periudhe sfiduese për industrinë.

Filmi i mëparshëm, “Dead Reckoning” (2023), pati performancë më të ulët nga sa pritej në SHBA, megjithëse shënoi sukses në tregjet ndërkombëtare, duke kaluar 570 milionë dollarë në të gjithë botën, një rekord për serinë jashtë SHBA-ve (me përjashtim të Kinës). Por, kostoja e tij u raportua rreth 300 milionë dollarë, me më shumë se 100 milionë dollarë të tjera për marketing.

“Ky film nuk duhet vetëm të gjenerojë të ardhura, por t’i japë Cruise një përmbyllje të përsosur për dekada të tëra suksesi në kinema”, ka thënë një burim nga Paramount.

Ndërkohë, buxheti për “The Final Reckoning” mendohet të jetë mbi 400 milionë dollarë, duke e renditur krahas superprojekteve si “Fast & Furious” apo “Avengers”.