Nuk ka asgjë më të bukur sesa të shikosh filma romantikë gjatë verës. Madje ngjarjet e një pjese të madhe të filmave romantikë zhvillohen në verë. Zakonisht këta filma trajtojnë një histori të bukur dashurie dhe të rrëmbejnë në aventurat fantastike që sjell kjo ndjesi e vështirë për t’u shpjeguar.
Vera është koha më e përshtatshme për të humbur në fantazinë e dashurisë dhe para se realiteti të ju godas përsëri, këta janë filmat më të mirë romantikë për të shikuar në këtë stinë.
Dirty Dancing
Që nga lansimi i tij në vitin 1987, filmi “Dirty Dancing” është njëri prej filmave më të dashur për të gjithë. Ky film sjell një histori dashurie verore të përjetshme, e cila nuk do të dal asnjëherë nga moda. Karakteret, kimia mes dy protagonistëve dhe atmosfera e ngrohtë verore e shndërrojnë “Dirty Dancing” në një film klasik të hatashëm romantik. Gjithashtu, sjell njërën prej skenave më të mira të vallëzimit në kinematografi. Nostalgjia që sjell ky film është e pakrahasueshme dhe mund ta përjetoni vetëm pasi të keni shikuar filmin.
Mamma Mia
Bazuar në mjuzikëllin e Broadway-it me të njëjtin emër, “Mamma Mia” është një film muzikal nostalgjik, me shumë energji dhe i mbushur me këngë të grupit ABBA. Koreografitë dhe kostumografia i dhuronin akoma më shumë hijeshi sheshit të xhirimit, duke e shndërruar filmin në një aventurë vere fantastike me emocione dhe ndodhi pa fund. Gjithashtu, pasi ta keni shikuar filmin mos u habitni kur të shihni veten duke performuar këngët e grupit ABBA gjatë tërë ditës.
Call Me by Your Name
Me shumë emocion, filmi “Call Me by Your Name” i bazuar në romanin e mirënjohur të Andrea Aciman sjell një përrallë sensuale dhe të jashtëzakonshme të dashurisë. Kjo histori dashurie është e portretizuar aq bukur sa që do t’ju mbajë vazhdimisht të koncentruar dhe do t’ju dhurojë një udhëtim emocional përgjatë dy orëve. Atmosfera shumë ëndërruese, peizazhet simpatike dhe kolona zanore e mrekullueshme i dhurojnë filmit një hijeshi dhe delikatesë, e cila nuk duhet humbur.
The Notebook
Bëhuni gati të qani dhe të përjetoni një vrull emocionesh. Temat e portretizuara në këtë film trajtohen në një mënyrë shumë të veçantë, që e dallon filmin “The Notebook” nga romancat e tjera. Ky film do t’ju bëjë të ndiheni të lumtur dhe të trishtuar, do t’ju marrë me vete dhe do të ndiheni sikur jeni pjesë e ngjarjes. “The Notebook” shfaq njërën prej historive të dashurisë të shkruara më së bukuri, të sjellë nga protagonistë fantastikë dhe skena brilante, në të cilat do të humbisni gjatë shikimit të filmit.
500 Days of Summer
Romanca e shfaqur në mes dy protagonistëve nuk është domosdoshmërish një fund i lumtur. Ky film sjell shumë mësime rreth pritjeve që mund të kemi dhe realitetit që mbizotëron. Ngase ndonjëherë pavarësisht se sa shumë dëshirojmë diçka, ajo thjesht nuk do të ndodhë dhe ky është njëri prej mësimeve më të vështira të jetës. “500 Days of Summer” një komedi dhe dramë e shkëlqyer mund t’i sjell verës suaj përjetimin e dëshiruar.
Filmat romantikë janë ndër shoqëruesit më të mirë të verës. Ju takon juve të zgjidhni se cilën histori dashurie dëshironi ta shikoni.