Showbiz

“Fast X” ekranizon zënkën mes Dantes dhe Dominic Torettos

Traileri i ri i filmit të ardhshëm aksion, “Fast X”, tashmë është publikuar për adhuruesit e këtij projekti dhe zbulon pak më shumë rreth personazhit të ligë, Dante, i portretizuar në film nga Jason Momoa.

Në sekuencat e shkëputura, ngjarja zhvillohet në Vatikan ku kryepersonazhi, Dom Toretto, dhe ekipi i tij, mundohen ta ndalojnë shpërthimin e një bombe jo të zakonshme. Po ashtu, vihet në fokus arsyeja prapa urrejtjes së Dantes për Toretton, e cila siç duket rrjedh prapa nga filmi i pestë “Fast and Furious”.

Dante zbulohet se është djali i Herman Reyes, personazhi i keq të cilin Dom e kishte vrarë gjatë një grabitjeje në Rio De Janeiro. Tani ai po kërkon të marrë hak, duke e kërcënuar familjen dhe ekipin e Torettos, por edhe qindra mijëra njerëz të pafajshëm.

Krahas yjeve, Vin Diesel dhe Jason Momoa, adhuruesit do të kenë mundësi ta shohin rikthimin në ekran edhe të aktorëve: Michelle Rodriguez, Tyrese Gibson, Chris “Ludacris” Bridges, Nathalie Emmanuel, Jordana Brewster, Sung Kang, Jason Statham, John Cena, Scott Eastwood, Helen Mirren dhe Charlize Theron.

Filmi vjen me regji të Louis Leterrier, i cili e mori përsipër këtë rol vitin e kaluar, pas largimit të papritur të regjisorit, Justin Lin. Ky i fundit vazhdon të shërbejë si producent i projektit të suksesshëm në arkat filmike botërore.

“Fast X” lansohet nëpër kinema më 19 maj të këtij viti.