Showbiz

“Fast X” bëri histori me premierën që zuri vend në Colosseum

“Fast X”, vazhdimi i dhjetë në serinë e filmave aksion, “Fast and Furious Saga”, e shënoi premierën botërore në qytetin e bukur të Romës.

Kasta e aktorëve të këtij projekti si, Vin Diesel, Michelle Rodriguez dhe Tyrese Gibson, e ndoqën këtë ngjarje e cila zuri vend në një lokacion të veçantë dhe jo të zakonshëm, që është amfiteatri antik Colosseum.

“Jemi këtu në amfiteatrin Colosseum dhe kjo është hera e parë në histori që një film e shënon premierën në këtë lokacion. Kjo nuk ndodhë vetëm falë suksesit të këtyre filmave, por është meritë e adhuruesve tanë të cilët për disa dekada na kanë përkrahur në këtë rrugëtim. Prandaj, ne jemi këtu sonte duke e realizuar një ëndërr pothuajse të pamundur, falë të gjithë atyre njerëzve që i kanë shikuar filmat tanë dhe na kanë mbështetur gjithmonë”, tha Diesel para gazetarëve të pranishëm mbi qilim të kuq.

“Zoti është i mahnitshëm. Shikoni jetët tona. Mendoni për këtë që është duke ndodhur në këto momente. Kjo nuk krahasohet me asgjë në botë, sepse nëse dikush e dëshiron amfiteatrin Colosseum në prapavijë të filmave të tyre, atëherë duhet ta realizojë atë me ‘fotoshop’. Ndërsa, për ne ky është një realitet dhe njëkohësisht një moment i pabesueshëm për të gjithë”, deklaroi Tyrese Gibson.

Në filmin “Fas X” po ashtu luajnë aktoret e shpërblyera me “Oscar”, Helen Mirren dhe Charlize Theron, si dhe yjet tjerë të Hollywoodit, Jason Statham, Ludacris, John Cena, Jason Momoa, Rita Moreno dhe Brie Larson.

{gallery}

Mbi qilim të kuq, Mirren tregoi se e ka krijuar një lidhje të afërt me kolegët e saj në film, dhe e gjithë kjo falë Vin Dieselit i cili e ka krijuar një ekip që përveç shoqërisë, kanë edhe shumë dashuri për njëri-tjetrin.

“Raporti i bukur që e kemi me njëri-tjetrin vjen nga ai burim i dashurisë, i energjisë dhe i kujdesit që Vini e ka krijuar. Është pikërisht ai që i ka bashkuar të gjithë dhe në njëfarë mënyrë është ngjitësi që na mban të gjithëve së bashku. Pra, kjo gjë është absolutisht shumë e qartë. Ai e ka një përkushtim të jashtëzakonshëm për punën dhe të gjithë personat e përfshirë në film, por njëkohësisht edhe aktorët tjerë e ndajnë të njëjtin përkushtim dhe dashuri për këto projekte”.

Charlize Theron tha se mezi po priste ta shikojë performancën e Jason Momoas në film, ani pse për fat të keq, ylli i filmave “Aquaman” nuk pati rastin të jetë i pranishëm në premierë për shkak të disa angazhimeve.

“Më vjen keq që Jasoni nuk është këtu sonte sepse pjesa më e madhe e skenave të mia në film janë me të, dhe ishte vërtetë kënaqësi të punonim bashkë. Por, mendoj se po e përfaqësojmë atë sonte në anën shpirtërore dhe mezi pres ta shikoj se çfarë pune ka bërë në këtë film. Sepse për vetëm pak kohë sa kam punuar me të më ka mahnitur vërtetë”.

Në filmi “Fast X”, ngjarja zhvillohet në Vatikan ku kryepersonazhi Dom Toretto dhe ekipi i tij, mundohen ta ndalojnë shpërthimin e një bombe jo të zakonshme. Po ashtu, vihet në fokus arsyeja prapa urrejtjes së personazhit të ri në film, Dante, për protagonistin Toretto, e cila siç duket rrjedh prapa nga vazhdimi i pestë “Fast and Furious”. Dante zbulohet se është djali i Herman Reyes, personazhi i keq të cilin Dom e kishte vrarë gjatë një grabitjeje në Rio De Janeiro. Tani ai po kërkon të marrë hak, duke e kërcënuar familjen dhe ekipin e Torettos, por edhe qindra mijëra njerëz të pafajshëm.

Filmi vjen me regji të Louis Leterrier, i cili e mori përsipër këtë rol vitin e kaluar, pas largimit të papritur të regjisorit, Justin Lin. Ky i fundit vazhdon të shërbejë si producent i projektit të suksesshëm në arkat filmike.

Leterrier, në premierë deklaroi se të gjithë personat e përfshirë në filmat, “Fast and Furious”, janë si një familje e vërtetë.

“Ne jemi bërë një familja e madhe dhe e bukur, dhe e mira e gjithë kësaj është se vazhdojmë t’i përdorim të njëjtit njerëz edhe prapa kamerave, duke filluar nga punëtorët teknik e deri tek angazhimi i fëmijëve të disa prej personave që kanë punuar në filmin e parë ‘Fast and Furious’”.

“Fast X” lansohet nëpër kinematë botërore më 19 maj.