“The Fate of the Furious” e ka tejkaluar “Star Wars: The Force Awakens” duke e thyer rekordin për hapjen më të madhe mbarëbotërore të fundjavës.
Vazhdimi i tetë i franshizës së zhanrit aksion, i njohur gjithashtu edhe si “Fast and Furious 8” në disa territore, gjithsesi pritej të fitonte para të mëdha, gjatë hapjes së tij gjatë fundjavës së Pashkëve, transmeton “Koha Ditore”. Dhe të dielën, u raportua se ai iu afrua filmit “Star Wars” nga viti 2015.
Tani është konfirmuar se filmi me Vin Diesel dhe Jason Statham në rolet kryesore, e ka tejkaluar “Star Wars” dhe i ka fituar rreth 532.5 milionë dollarë në mbarë botën, në krahasim me 529 milionë dollarë të “The Force Awakens”.
Arritja e tij e ka shtyrë Jurassic World në pozitën e tretë me 525 milionë dollarë, pasuar nga Harry Potter and the Deathly Hallos: Pjesa 2 me 483 milionë dollarë, dhe Batman v. Superman: Dawn of Justice në pozitën e pestë me 422 milionë dollarë.
Top dhjetë lista e hapjeve më të mëdha të fundjavës e përfshin edhe paraardhësin e Fate of the Furious, Furious 7, Harry Potter and the Half- Blood Prince, të dy filmat e Avengers dhe Transformers: Dark Side of the Moon.
Mendohet se franshiza automobilistike, në të cilën gjithashtu luajnë Michelle Rodriguez dhe Dwayne “The Rock” Johnson ka marrë një shtytje të madhe nga tregjet e huaja si ai kinez, meqë hapja e filmit në SHBA ka qenë dukshëm më e ulët sesa “Furious 7”, por përsëri e arriti rezultatin numër një në arkat kinematografike.