Showbiz

“Fast & Furious 9” shënon hapjen më të mirë në Kinë prej shpërthimit të pandemisë

Filmi “Fast & Furious 9” po i sjellë arkat filmike botërore në jetë pas një viti shkatërrues të ndikuar nga pandemia.

Vazhdimi i nëntë të serinë e filmave të njohur aksion tashmë i ka arkëtuar 127 milionë dollarë nga debutimi i tij nëpër kinematë ndërkombëtare. Kështu e ka tejkaluar shumën të cilën e kishte fituar projekti, “Godzilla vs. Kong”, dhe është bërë filmi me debutimin më të mirë prej se koronavirusi e goditi rëndë industrinë e filmit.

Ky sukses është një indikacion i mirë për filmin i cili është afër lansimit nëpër kinematë e Amerikës Veriore. Aktualisht “Fast & Furious 9” është duke u shfaqur në tetë shtetet të ndryshme të botës, si Rusia, Korea Jugore, Kina, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkura Arabe dhe Egjipti.

Në Kinë, një treg i spikatur dhe me ndikim në industrinë e filmit, projekti i mbushur me skena aksion, ndjekje të rrezikshme me vetura por edhe momente humoristike, i fitoi gjithsej 105 milionë dollarë nga shitja e biletave nëpër kinema brenda tri ditëve të para të lansimit, duke e shënuar kështu hapjen më të mirë të një filmi Hollywoodian në këtë regjion, prej fillimit të pandemisë.

“F9” po ashtu është bërë filmi i dytë i studios “Universal Pictures” me hapjen më të madhe në këtë treg, pas filmit të kaluar “The Fate of the Furious” i cili u lansua në vitin 2017.

Në filmin e ri, Dominic Toretto dhe grupi i tij i bashkojnë forcat për ta luftuar vrasësin më të aftë dhe ngasësin më të talentuar të veturave që e kanë takuar ndonjëherë, e që në fakt është vëllai i Domit. Në rolet kryesore luajnë aktorë të njohur të hollywoodit, si Vin Diesel, Michelle Rodriguez, Tyrese Gibson, Chris “Ludacris” Bridges, John Cena, Jordana Brewster, Nathalie Emmanuel, Sung Kang, Michael Rooker, Helen Mirren, Kurt Russell dhe Charlize Theron.

Justin Lin i cili në të kaluarën e ka bërë regjinë e 4 vazhdimeve të këtij projekti, “The Fast and the Furious: Tokyo Drift”, “Fast & Furious”, “Fast Five” dhe “Fast & Furious 6”, rikthehet në rolin e regjisorit për të pestën herë. Në një intervistë të fundit ai ka deklaruar se ky është vazhdimi më i mirë në serinë e filmave ikonik aksion.

“Fast & Furious 9” do të lansohet nëpër kinematë e Amerikës dhe Kanadasë, nga 25 qershori i këtij viti.