Showbiz

Fama e bën Jenna Ortegan të ndihet e keqkuptuar

Jenna Ortega

Jenna Ortega

Foto: Associated Press

Jenna Ortega, një nga aktoret më të njohura të gjeneratës së re në Hollywood, ka rrëfyer se ndonjëherë ndihet si e huaj në jetën e saj për shkak të mënyrës se si publiku e percepton atë.

“Mendoj se kjo është pjesa më e vështirë e kësaj pune, sepse ndihesh jashtëzakonisht e keqkuptuar. Është thuajse sikur emri yt nuk të përket më. Nuk e ndjej më si timin. Nuk i duroj dot supozimet, dhe megjithatë kjo punë është e mbushur me to”, ka thënë ajo në një intervistë për The Hollywood Reporter.

Ylli i serialit “Wednesday” ndien se sot jeta e personazheve publike është shumë e ekspozuar.

“Dimë shumë gjëra për njëri-tjetrin. Njerëzit ndihen sikur kanë të drejtë të futen nëpër pjesë të jetës tënde, por po të ndodhte e njëjta gjë me ta, nuk do të ndiheshin aspak rehat”, ka thënë ajo.

Ortega ka theksuar se një nga gjërat që e shqetëson më shumë është kur njerëzit ia thërrasin emrin në rrugë në mënyrë të papritur apo edhe të pasjellshme.

“Është e çuditshme kur dikush të thërret me emër në publik. Nganjëherë më ndodh që burra të rritur më afrohen dhe e bëjnë situatën të pakëndshme. Mund të jesh duke ecur shpejt sepse ke vonesë, dhe papritur dikush të thërret me fjalë të ndyra, madje para nënës sate. Është një përvojë e tmerrshme”, ka thënë 22 vjeçja.

Megjithatë, Ortega pranon se jo çdo ditë është e tillë, dhe se është e mundur të ruash paksa privatësinë.

“Ndonjëherë dal jashtë dhe gjithçka është kaos. Por ka raste kur mund të ecësh për orë të tëra dhe askush nuk të kushton vëmendje. Nëse me të vërtetë do të mbetesh i padukshëm, mund ta arrish”, ka thënë ajo.

Ortega ka punuar ngushtë me regjisorin legjendar Tim Burton në serialin “Wednesday”, dhe tregon se ka mësuar shumë prej tij.

“Ai është jashtëzakonisht i sjellshëm. I di emrat e të gjithëve dhe i beson plotësisht ekipit. Kur e nisa punën me të, i kërkoja vërejtje e udhëzime, por ai nuk më jepte. Jo sepse nuk donte të ndihmonte, por sepse më linte hapësirë që të zbuloja vetë se çfarë funksionon për mua”, ka treguar ylli.

Ajo thotë se kjo qasje e ndihmoi ta forcojë vetëbesimin dhe të eksplorojë anë më të thella të aktrimit.

“Tim e nxjerr më të mirën nga njerëzit. Të jep guxim të mendosh ndryshe, të bëhesh më i çuditshëm. Dhe kur dikush e nxjerr atë anë nga ti, është kënaqësi e vërtetë”, ka thënë ndër të tjera aktorja.