Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Emma Stone si Cruella de Vil në filmin për keqbërësen ikonike

Emma Stone na sjell një pamje të re të keqbërëses ikonike Cruella De Vill në filmin e saj të ri të Disneyt të titulluar "Cruella".

Fituesja e çmimit Oscar do ta ekranizojë hajduten e re të dalmatëve në një edicion goxha punk-rock çfarë nuk kemi mundur ta shohim në filmin legjendar të Disney "101 Dalmatians".

Ngjarja e filmit është vendosur në vitet 1970, dhe përveç Stone, në film do të shohim edhe Paul Walter Hauser, Joel Fry dhe Emma Thompson, shkruan KOHA Ditore. Filmi do të bëjë fjalë për femrën e fiksuar pas palltove, ndërsa në filmin origjinal të vitit 1961, Cruella portretizohet si një grua e moshuar e pasur dhe e llastuar, misioni i së cilës është t’i vjedhë qenushët dalmatë për të bërë pallto të reja.

Megjithatë, në foton e parë, Stone si keqbërësja legjendare është e veshur kokë e këmbë me lëkurë të zezë, në vend të gëzofit, gjë që i ka hutuar shumë fansa të klasikut të Disney.

Siç shpjegoi Stone, filmi u bë në frymën e viteve 1970 kur skena në Londër mbizotërohej nga punk-rock.

"Cruella" do të shfaqet në kinema më 28 maj 2021.