Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Eminem luan në serialin e ri të reperit 50 Cent me titull “BMF”

Ylli amerikan i muzikës, Eminem, do ta portretizojë informatorin e FBI-së Richard Wershe Jr., i njohur me nofkën White Boy Rick, në serialin e ardhshëm të reperit 50 Cent, “BMF”, të krijuar për kanalin “Starz”.

Projekti bazohet në ngjarje të vërtetë.

Si tinejxher, Wershe kah mesi i viteve ’80 kishte shërbyer si informator i agjencisë FBI, duke u infiltruar në një bandë gangsterësh të Detroitit. Më vonë ai u braktis nga kjo agjenci, dhe në moshën 17-vjeçare u arrestua për posedim të kokainës dhe u dënua me burg të përjetshëm. Por, vitin e kaluar, në moshën 50-vjeçare, ai u lirua nga burgu.

Paraqitja në serial e yllit të muzikës rep, Eminem, do të jetë relativisht e shkurtër pasi ai shfaqet vetëm në një episode të projektit televiziv, ku miku dhe kolegu i tij 50 Cent shërben si producent.

Përveç videoklipeve muzikore, përvoja e Eminemit në kinematografi është e vogël. Ai e kishte portretizuar rolin kryesor në filmin “8 Mile”, e ka bërë një paraqitje të vogël në filmin e vitit 2009, “Funny People”, dhe në vitin 2010 u paraqit në një episode të serialit të suksesshëm televiziv, “Entourage”.

“Jam i nderuar dhe falënderues me përkrahjen e mikut tim të mirë, Eminem, për serialin tim të ri ‘BMF'. Nuk kishim si ta realizonim një projekt për Detroitin, pa e përfshirë legjendën e këtij qyteti”, citohet të ketë thënë 50 cent, emri i vërtetë i së cilit është Curtis Jackson.

Edhe 50 Cent dhe Eminem po punojnë në versionin televiziv të filmit “8 Mile” Showbiz 50 Cent dhe Eminem po punojnë në versionin televiziv të filmit “8 Mile”

“BMF” do ta ketë premierën në kanalin “Starz” më 26 shtator të këtij viti, dhe e rrëfen historinë e organizatës e cila bënë shpërndarjen e drogave dhe shpëlarjen e parave, “Black Mafia Family”. Kjo organizatë ishte themeluar në vitin 1989 në Detroit nga vëllezërit, Demetrius “Big Meech” Flenory dhe Terry “Southwest T” Flenory.

Demetrius në serial portretizohet nga djali i tij në jetën reale, Demetrius “Lil Meech” Flenory Jr. Da’Vinchi, Russell Hornsby dhe Michole Briana White janë po ashtu pjesë e kastës së aktorëve, derisa paraqitje të shkurta me role të vogla do të kenë edhe yjet, Snoop Dogg, La La Anthony dhe Serayah.

Drejtuesit e kanalit “Starz” e kanë përshkruar serialin si një histori dashurie, lidhjeve familjare dhe kapitalizmit, në kërkim të ëndrrës amerikane.