Emilia Clarke e ka pranuar se kishte pasur vështirësi të mëdha derisa po e mësonte fjalimin e saj të fundit në “Game Of Thrones”.
Aktorja 33-vjeçare luajti si Daenerys Targaryen në dramën fantastike të HBO-së e cila përfundoi pas sezonit të tetë më herët këtë vit. Në fjalimin e saj të fundit si Dany, Emilias iu desh ta mblidhte ushtrinë e saj me një fjalim që përfshiu shumë gjuhë dothraki - një gjuhë kjo e adoptuar nga fisi nomad Dothraki - dhe memorizimi i rreshtave ishte një detyrë e vështirë për yllin filmik.
"E dija se fjalimi do të ishte vërtet i rëndësishëm, dhe kalova shumë kohë duke e mësuar atë," tha Emilia në një intervistë gjatë dokumentarit të shkurtër “Duty is Death of Love” nga “Game of Thrones Season 8 4K Blu-ray and DVD Set”. "Jam shumë e sinqertë - kisha vështirësi të mëdha derisa po e mësoja atë fjalim. Kjo gjuhë fiktive po më torturonte. Nuk mund ta bëja.”

Por kur erdhi xhirimi i fjalimit, ndodhi diçka e jashtëzakonshme, shkruan KOHA Ditore.
"Dhe pastaj, ndodhi magjia," u kujtua ajo. "U zgjova në mëngjes, shkova dhe të gjitha dolën për mrekulli. Me siguri po e luftoja jo atë që po e luftoja, por atë që Dany po e bënte... Për herë të parë në tërë karrierën time të Game of Thrones, i thashë fjalët në mënyrë të përkryer."