Aktorja, këngëtarja, producentja dhe ish-Miss bota, Priyanka Chopra Jonas, është në bisedimet përfundimtare për filmin e ri në sagën e “Matrix”. “Variety” e sjell informacionin nga burime të verifikuara, por detajet për rolin e saj të mundshëm nuk dihen, siç nuk dihet as titulli i filmit ende (ende njihet me titullin Matrix 4).
Përndryshe, ekipi filmik tash ca kohë është duke ushtruar në mënyrë aktive për fillimin e xhirimeve, të cilat do të duhej të fillonin së shpejti.
Chopra Jonas i ka më shumë se 60 filma në bagazhin e saj, ndërsa në tregun amerikan filloi me serialin dramë Quantico, ku e luan rolin kryesor dhe i cili zgjati tri sezone. Kështu ajo u bë personi i parë femër nga India që e luan rolin kryesor në seri në kohën me shikueshmërinë më të lartë, ndërsa për këtë rol e fitoi çmimin ”People's Choice Award 2016”. Po atë vit, ajo u shfaq në kopertinën e revistës TIME si një nga njerëzit më me ndikim në botë, ndërsa Forbes e njohu si një nga femrat më të fuqishme në botë.

Chopra Jonas së fundi e bëri produksionin e filmit indie “The Sky is Pink”, në të cilin ajo gjithashtu edhe luajti, ndërsa së shpejti do të mund ta shohim edhe në filmin e Netflixit “We Can Be Heroes” të Robert Rodriguez. Ajo ka punuar paralelisht në komedinë indiane me Mindy Kaling dhe Dan Goor për Universal, ndërsa “Matrix 4” do të duhej ta xhironte paralelisht me Citadel të Amazon, ku e luan rolin kryesor me Richard Madden, shkruan KOHA Ditore.
Regjinë për “Matrixin” e ri e bën Lana Wachowski, ndërsa rolet e tyre do t’i përsërisin Keanu Reeves, Carrie-Anne Moss dhe Jada Pinkett Smith. Aktorët e rinj përfshijnë Yahya Abdul-Mateen II, Neil Patrick Harris dhe Jonathan Groff.
Filmin “Matrix 4” e presim në kinema më 21 maj 2021.