Me prezencën e vazhdueshme të pandemisë së koronavirusit në botë, organizimet e ngjarjeve kulturore dhe argëtuese po vazhdojnë të sfidohen, duke u mbajtur në formë virtuale dhe pa prezencën e publikut çka zakonisht u sjellë këtyre organizimeve atmosferë dhe gjallëri.
Prandaj edicioni i sivjetmë i koncerteve të fundvitit “iHeart Radio Jingle Ball” u detyrua të virtualizohet, dhe adhuruesit anembanë botës u detyruan ta ndjekin këtë ngjarje online.
Por prezenca e adhuruesve në skenë nuk i ndaloi disa prej emrave më të mëdhenj të muzikës, që të bëhen pjesë e koncertit të përvitshëm “Jingle Ball” të organizuar nga “iHeart Radio”, të tillë si: Dua Lipa, Doja Cat, The Weeknd dhe të tjerë.
Ngjarja e cila zgjati plotë një orë e gjysmë, u prezantua nga Ryan Seacrest ndërsa u transmetua live në kanalin CW.
Një ndër performancat më të veçanta të mbrëmjes ishte ajo e pop yllit me prejardhje kosovare, Dua Lipa, e cila e interpretoi këngën e saj shumë të pëlqyer, “Levitating”, nga albumi i fundit i këngëtares “Future Nostalgia”. Lipën në skenë e prezantoi kolegu dhe miku i saj nga Britania e Madhe, Sam Smith, duke thënë: “Është një nderë i veçantë për mua ta prezantoj para jush, performuesen e radhës për sonte. Ajo është e bukura, e mençura, e talentuara dhe mikesha ime e mirë, Dua Lipa”.
Derisa “Levitating” është një këngë ritmike e inspiruar nga muzika disco e viteve 70’ dhe 80’, Dua Lipa këtë radhë kishte zgjedhur ta performojë një version ndryshe të saj, duke interpretuar në skena e shoqëruar vetëm nga një piano dhe dy këngëtare përcjellëse, dhe së bashku e sollën hitin e shumëpëlqyer nga publiku në formë balade.
Lipa dukej mahnitëse e veshur me një fund të shkurtër dhe bluzë verore ngjyrë rozë, të markës së njohur të modës “Miu Miu”, flokët i mbante të lëshuara dhe të valëzuara derisa grimi i saj shkëlqente, duke u përshtatur mirë me temën e festave të fundvitit.
Gjatë mbrëmjes bukuroshja kosovaro-britanike i interpretoi edhe dy këngë të tjera, “Don’t Start Noë” dhe hitin klasik të muzikantit John Lennon, “Happy Christmas (War Is Over)”, për të cilin interpretim u ndihmua edhe nga disa prej adhuruesve të saj më të mëdhenj, që iu bashkëngjitën performancës së Duas në formë virtuale.
Ndër artistët e tjerë që me performancat e tyre i dhanë hijeshi këtij koncerti të përvitshëm, i cili rëndom e sjell atmosferën e festive të fundvitit tek publiku mbarë botëror, ishin yjet: Billie Eilish, Harry Styles, Doja Cat, The Weeknd, Shawn Mendes, Lewis Capaldi dhe Sam Smith.