Showbiz

Dua Lipa në mesin e artistëve me turneun më të shumëpritur nga fansat

Foto: AP News

Elton John, The Weeknd, Justin Bieber, Billie Eilish dhe Dua Lipa, në mesin e artistëve me koncertet më të kërkuara për vitin 2022, nga fansat anembanë botës.

Derisa shumë artistë i janë kthyer turneve muzikor gjatë vitit 2021, shumë të tjerë kanë vendosur të presin deri në vitin e ardhshëm, për të performuar nëpër koncerte të ndryshme anembanë botës. Tani, aplikacioni “Gametime” i specializuar në shitjet e biletave koncertale, e ka publikuar një listë me koncertet më të shumëpritura nga adhuruesit për vitin 2022 dhe duket se turneu lamtumirës i ikonës, Elton John, pozicionohet goxha lartë në listën e artistëve të cilët publiku mezi pret t’i takojë.

John planifikohej ta mbajë turneun evropian “Farewell Yellow Brick Road” gjatë këtij viti, por në muajin shtator e bëri të ditur lajmin se i ka shtyrë të gjitha datat e koncerteve për vitin 2023, për shkak se i është nënshtruar operacionit në ijë. Por, fansat do të kenë mundësi ta shohin atë duke performuar në janar të vitit 2021, kur të fillojë turneu i këngëtarit nëpër Amerikën Veriore me koncertin e parë në New Orleans.

Edhe The Weeknd ishte në mesin e yjeve të shumtë që u detyruan t’i ndryshojnë datat e turneut për shkak të pandemisë. Pop ylli kanadez rikthehet në skenë me koncerte në verën e vitit të ardhshëm.

Turneu botëror i Justin Bieberit, “Justice”, fillon më 12 shkurt 2022 dhe e dërgon këngëtarin në më shumë se 20 shtetet të botës. Biletat për këto koncerte janë shumë të kërkuara, marrë parasysh se Bieber ka më shumë se 5 vjet që nuk realizon turne.

Edhe turneu i shumëpritur i këngëtares me prejardhje kosovare dhe famë botërore, Dua Lipa, në Amerikën Veriore do të fillojë në shkurt të vitit që po vjen. Me titull “Future Nostalgia Tour”, kjo ngjarje ka zgjuar kureshtjen e adhuruesve anembanë botës sidomos marrë parasysh suksesin e jashtëzakonshëm që e shënoi albumi i dytë i Lipës, me të njëjtin titull.

E në pozitën e parë si artisti me koncertin më të shumëpritur nga fansat e muzikës, është superylli latin Bad Bunny.

Në top dhjetëshen e kësaj liste të përpiluar nga aplikacioni “Gametime”, gjenden edhe emrat e artistëve: Billie Eilish, John Mayer, Tyler The Creator, grupi “Red Hot Chili Peppers” dhe rok bendi “Tool”.

Përktheu: Edona Binaku