Këngëtarja me famë botërore, me prejardhje shqiptare, Dua Lipa, ka lansuar një linjë kufizuar të veshjeve të treningut.
Lajmin e ka bërë të ditur vet ajo përmes një postimi në llogarinë e saj në Instagram.
“Po vjen linja e re për trening!!! Shpresoj të jeni po aq të obsesionuar sa unë”, ka shkruar Lipa.
Veshjet duket se vijnë si inspirim nga kënga e saj e fundit “Training Season” të cilën e lansoi gjatë këtij muaji.
Në linjën e veshjeve sportive të Lipas përfshihen dy bluza sportive me mëngë të shkurtra me mbishkrim “training season”, një set i geteve sportive me ngjyrë të kaltër të errët të kombinuara me disa vijëzime bardh e zi në stil të viteve të 90-ta, një bluzë e stilit ‘polo’ me mëngë të gjata, si dhe një bluzë tjetër me mëngë të shkurtra që i ngjan një fanelle futbollit, e cila është me vija vertikale të kuqe të errët dhe kaltër të errët, mbi të cilat shkruhet ‘training season’ gjithashtu.
Sa i përket koleksioneve të veshjeve, ky nuk është koleksioni i parë që Lipa ka bërë.
{gallery}
Ajo ka bashkëpunuar në të kaluarën me brende të famshme të modës së lartë si “Versace”, bashkë me drejtoreshën kreative Donatella Versace, bëri një koleksion të quajtur “La Vacanza”, i cili debutoi në Kanë, ku të pranishëm ishin shumë persona të famshëm të fushave të ndryshme, duke përfshirë Troye Sivan, Peggy Gou e Lous Hamilton. Ky koleksion bëri bujë të madhe në botën e modës dhe u mirëprit e mori kritika pozitive nga adhuruesit e njohësit e fushës.
Për veshje sportive ajo pati bashkëpunuar me brende si “Puma”, me të cilin bëri një koleksion të quajtur shqip “Flutur”. Për dizajnimin e këtij koleksioni drejtorët e brendit i patën dhënë Lipas dhe stilistit të famshëm Lorenza Posocco, qasje në arkivat e brendit në mënyrë që të bënin një kurim për krijimet e reja duke u inspiruar nga stili që brendi kishte gjatë viteve 90-të.
Këngëtarja pati bashkëpunuar edhe me brendin e njohur të veshjeve sportive “Adidas”, në vitin 2018 kur u bë fytyra që reklamonte atletet “adidas samba” të cilat sot janë shumë të popullarizuara.
Përveç këtyre atleteve ajo ka reklamuar edhe gete të brendit si dhe veshje fitnesi bashkë me modelen e njohur Karlie Kloss.
Moda është një pasion i kamotshëm i Lipas, pasi ajo karrierën e kishte filluar si një blogere mode.
Vita Abrashi -Kajtazi