Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Dua Lipa i performon hitet e fundit në “Pandora LIVE”

Platforma muzikore “Pandora” ka organizuar ngjarjen e përvitshme “Pandora LIVE” dhe si performuese në këtë koncert virtual të përmbylljes së vitit është përzgjedhur këngëtarja- ylli kosovaro-britanik Dua Lipa.

“Pandora LIVE” është një ngjarje e përvitshme e platformës së njohur muzikore, e cila mbahet online dhe i përfshin disa prej artistëve më të njohur të zhanreve të ndryshme muzikore, si country, rok, R&B, pop dhe të tjerë.

Ngjarja u prezantua nga Mikey Piff, drejtor i programit në radiostacionin “SiriusXM’s Hits 1”, i cili njëkohësisht e realizoi edhe një intervistë ekskluzive me Lipën, ku ajo foli për jetën dhe karrierën e saj. Disa nga adhuruesit më të mëdhenj të Lipës e patën gjithashtu rastin që të komunikojnë me të para koncertit, ku edhe u testuan për njohuritë rreth idhullit të tyre.

“Sado që kam dëshirë të bëj turne për ta promovuar albumin e ri dhe t’i takoj fansat e mi personalisht, jam falënderuese që po kemi mundësi të mblidhemi së bashku në formë virtuale, për një natë argëtuese të mbushur me muzikë dhe vallëzim. Dhe e gjithë kjo mundësohet nga ‘Pandora’. Shpresoj se do ta shijoni performancën time dhe mezi pres t’iu takoj në turne së shpejti”, citohet të ketë thënë Lipa, pak ditë para ngjarjes.

Pop ylli botëror ka publikuar albumin e saj të dytë muzikor “Future Nostalgia”, në fillim të vitit, në kohën kur bota ishte në karantinë shkaku i pandemisë së koronavirusit. Albumi u shndërrua në një prej incizimeve më të pëlqyera të vitit 2020 dhe debutoi në top-pesëshen e listës së 200 albumeve më të mira në “Billboard”.

Edhe Dua Lipa është gati për natën më të madhe të muzikës Showbiz Dua Lipa është gati për natën më të madhe të muzikës

Kënga e parë e albumit “Don’t Start Now” është shkarkuar më shumë se 105 milionë herë në platformën muzikore “Pandora”, dhe e ka thyer rekordin personal të Lipës rreth qëndrimit për më së shumti javëve në pozitën e parë të toplistës “US Top 40”.

Dua Lipa e përcolli suksesin e këngës “Don’t Start Now”, duke i lansuar edhe disa këngë të tjera po aq të suksesshme, si “Break My Heart”, “Physical”, “Levitating” dhe të tjerë. Ajo është fituese e çmimin “Grammy” në kategoritë “Artistja më e mirë e re” dhe “Kënga më e mirë Dance”, si dhe aktualisht është e nominuar në gjashtë kategori të këtyre shpërblimeve, të cilat do të ndahen gjatë vitit 2021, përfshirë këtu kategoritë kryesore të mbrëmjes “Kënga më e mirë”, “Albumi më i mirë” dhe “Incizimi më i mirë i vitit”.