Showbiz

Dua Lipa i kërkon kryeministrit britanik mbrojtje nga inteligjenca artificiale

Dua Lipa

Më shumë se 400 artistë britanikë, përfshirë emra si Dua Lipa, Elton John, Ian McKellen dhe Florence Welch, i kanë bërë thirrje kryeministrit Keir Starmer të përditësojë ligjet për të drejtat e autorit, për t’i mbrojtur ata nga keqpërdorimi i veprave të tyre nga inteligjenca artificiale (IA), shkruan BBC. 

Në një letër të hapur, ata paralajmërojnë se mungesa e mbrojtjes ligjore do të thotë se krijuesit “po ua japin” punën e tyre kompanive teknologjike, ndërsa në rrezik vihet edhe roli i Britanisë si fuqi krijuese globale.

Artistët kërkojnë që përmes Ligjit për të Dhënat (Përdorimi dhe Qasja), zhvilluesit e IA-së të detyrohen të jenë transparentë me pronarët e të drejtave të autorit për përdorimin e materialeve të tyre në trajnimin e modeleve të inteligjencës artificiale.

Qeveria britanike ka deklaruar se është në proces konsultimesh për të gjetur zgjidhje që mbështet njëkohësisht krijuesit dhe kompanitë teknologjike, duke theksuar se nuk do të miratojë ndryshime që nuk i shërbejnë industrive krijuese.

Megjithatë, ka edhe kundërshtime. Julia Willemyns nga Qendra për Progresin Britanik ka paralajmëruar se këto masa mund të pengojnë rritjen ekonomike të vendit dhe nuk do të ndalonin përdorimin e përmbajtjes britanike nga kompanitë e huaja.

Kjo iniciativë vjen në një kohë kur po rritet shqetësimi mes artistëve për përdorimin pa leje të veprave të tyre në trajnimin e teknologjive gjeneruese të IA-së, të cilat, ndonëse praktike për publikun, ngrejnë sfida serioze për të drejtat autoriale dhe etikën e përdorimit të të dhënave.