Këngëtarja kosovare me famë botërore, Dua Lipa, e ftuar në emisionin e famshëm amerikan “The Tonight Show Starring Jimmy Fallon”, ka folur për Kosovën dhe yjet botërore që kanë mbajtur koncerte në vend si dhe për festivalin e saj “SunnyHill”.
Në këtë intervistë, ajo fillimisht ka folur për emrin e saj duke treguar se nuk e kishte pëlqyer shumë sa ishte fëmijë për shkak të problemit të shqiptimit në gjuhët tjera.
Duke folur për Kosovën, ajo është pyetur se a janë organizuar në të kaluarën koncerte të mëdha të artistëve të huaj, Lipa ka thënë se ka qenë vetëm 13-vjeçare kur kishte shkuar në koncertin e parë për të, te dyshja Method Man dhe Redman. Ajo ka vazhduar duke treguar se ishte pjesë edhe e koncertit të 50 Centit në Prishtinë.
“Në fakt, në Kosovë, njerëzit dëgjojnë vetëm muzikë hip-hop, është një zhanër shumë i kërkuar dhe njerëzit duan t’i dëgjojnë vetëm artistët e hip-hopit”, ka thënë tutje ajo.
Lipa ka thënë se kur ka nisur festivalin “SunnyHill” ideja e saj ishte që para kosovarëve të vijnë yjet më të mëdha botërore. Ka lavdëruar këngëtaren Miley Cyrus që vitin e shkuar ishte ndër yjet kryesore të festivalit.
“Ishte artistja e parë ndërkombëtare që erdhi për të performuar në Kosovë. Dhe për mua, kjo ishte realizim i një prej ëndrrave të mia më të mëdha. Vetëm ta shikoja sa të emocionuar dhe të lumtur ishin njerëzit për ta parë atë në skenë, dhe ajo ishte e mahnitshme, e solli një energji fantastike dhe me të vërtetë e dha një performancë të jashtëzakonshme. Gati sa nuk fillova të qaj nga lumturia dhe krenaria”, ka thënë ndër tjerash ajo.