Showbiz

DMX anulon koncertet për shkaqe shëndetësore

Reperi i njohur amerikan DMX, së fundmi ka anuluar disa koncerte për shkak të një “emergjence mjekësore”.

Këto ditë, DMX ka vizituar një institucion rehabilitimi në Kaliforni, raporton TMZ, transmeton Koha.net. Ky njoftim vjen pasi që reperi, emri i vërtetë i të cilit është Earl Simmons, ka anuluar disa koncerte në Kaliforni për shkak të një “emergjence mjekësore”, e cila ende nuk është zbuluar.

Menaxheri i tij, Pat Gallo, më vonë ka konfirmuar se reperi nuk do të mbajë koncertet e tij për shkaqe mjekësore.

“Tani për tani është e rëndësishme që ai të pushojë një kohë dhe të kujdeset për shëndetin e tij, në mënyrë që të jetë baba i mirë, shok dhe argëtues”, ka thënë Gallo në një deklaratë.

Javën e kaluar, disa tifozë treguan se DMX gjatë koncertit në New York nuk dukej dhe aq mirë.

Reperi 46 vjeçar ka një histori të abuzimit të substancave, së bashku me astmën bronkiale dhe në vitin 2016 ai është shtruar në spital sepse jetën e kishte në rrezik pasi që pësoi një sulm astmatik.

Në janar, DMX ka lansuar këngën e tij të re “Bainz is Back”, të cilën e ka prodhuar Swizz Beats.