Showbiz

“Disney” në kërkim të aktorëve për rolet e Rapunzel dhe Flynn Rider për filmin “Tangled”

Rapunzel dhe Flynn Rider në filmin e animuar "Tangled"

Rapunzel dhe Flynn Rider në filmin e animuar "Tangled"

Gjigandi i filmave, “Disney”, ka nisur kërkimin për aktorët që do të luajnë në versionin e ri të të filmit të dashur të animuar “Tangled”, duke testuar disa emra të rinj për rolin e personazheve Rapunzel dhe Flynn Rider.

Sipas burimeve, “Walt Disney Pictures” ka zhvilluar javën e kaluar në Londër prova ekrani dhe lexime për rolet kryesore. Filmi do të jetë adaptim i filmit të animuar të vitit 2010, tashmë i konsideruar një klasik modern i “Disneyt”, ka raportuar The Hollywood Reporter.

Për rolin e Rapunzelit, vajzës me flokë të gjatë e magjikë që ëndërron lirinë jashtë kullës ku është mbyllur, janë testuar disa aktore të reja. Mes tyre janë Freya Skye, e cila këtë vit bëri debutimin e saj në film me “Zombies 4: Dawn of the Vampires”, Sarah Catherine Hook, e njohur nga sezoni i fundit i serialit “The White Lotus”, aktorja australiane Teagan Croft, e famshme për rolin e Raven në serialin “Titans”, si dhe Olivia-Mai Barrett, e cila shfaqet në serialin “Invasion” në Apple TV+.

Burime të tjera thonë se edhe Lola Tung, ylli i serialit “The Summer I Turned Pretty”, ishte në listë për rolin e Rapunzelit, por nuk mori pjesë në testime për shkak të një konflikti të mundshëm me orarin e xhirimeve të serialit.

Nga e majta, Freya Skye, Sarah Catherine Hook, Teagen Croft, Lola Tung dhe Olivia Mai Barrrett

Ndërkohë, për rolin e Flynn Riderit, hajdutit karizmatik që ndihmon Rapunzelin të arratiset nga kulla, janë testuar Milo Manheim, i njohur si protagonisti i serisë “Zombies” të “Disneyt”, si dhe Charlie Gillespie, i cili ka luajtur në komedinë “Splitsville” dhe në serialin e Netflixit “Julie and the Phantoms”.

Të dy njihen edhe për aftësitë e tyre muzikore. Në testime ka marrë pjesë edhe aktori skocez Gilli Jones.

Nga e majta, Charlie Gillespie, Gilli Jones dhe Millo Mainheim

Sipas burimeve, vendimi për kastin mund të merret shumë shpejt.

Në filmin origjinal të animuar, zërat e Rapunzelit dhe Flynn Riderit u interpretuan nga aktorët Mandy Moore dhe Zachary Levi. Filmi konsiderohet sot pjesë e “rilindjes së dytë” të “Disney Animation”.

Mandy Moore dhe Zachary Levi

Një tjetër rol i rëndësishëm në film është ai i Mother Gothel, figura e errët e mamasë së rrejshme të saj që e mban Rapunzelin të mbyllur për të shfrytëzuar fuqinë e flokëve të saj magjikë dhe për të qëndruar e re.

Më herët ishte përfolur se Scarlett Johansson do ta luante këtë rol, por kjo nuk do të ndodhë, pasi aktorja do të angazhohet në projekte të tjera, përfshirë një ribërje të filmit të famshëm “The Exorcist” dhe filmin “The Batman Part II”.

Filmi do të drejtohet nga Michael Gracey, i njohur për “The Greatest Showman” dhe biografinë muzikore “Better Man”. Ashtu si versioni i animuar, edhe ky adaptim pritet të ketë elemente të forta muzikore.

“Disney” planifikon që xhirimet e “Tangled” të zhvillohen në Britani duke nisur nga muaji qershor, megjithëse afatet mund të ndryshojnë në varësi të përfundimit të procesit të audicionit të aktorëve.