Showbiz

David Benioff dhe D.B. Weiss nga “Game Of Thrones” braktisin me keqardhje “Star Wars”

Krijuesit e “Game Of Thrones”, David Benioff dhe D.b. Weiss, janë larguar nga marrëveshja e tyre për ta filluar trilogjinë e ardhshme të filmit “Star Wars”.

Në maj ishte njoftuar se dyshja kishte pranuar për t’i shkruar skenarët për tre filmat e ardhshëm në franshizë, të cilët do të shfaqen në vitin 2022, shkruan KOHA Ditore. Megjithatë, të hënën, Benioff dhe Weiss njoftuan se janë detyruar të tërhiqen nga marrëveshja, sepse nuk kanë kohë të mjaftueshme - pasi kanë nënshkruar një marrëveshje 200 milionë dollarësh me Netflixin.

"Ne i duam Star Wars", thanë ata për Deadline në një deklaratë. “Kur George Lucas e ndërtoi franshizën, ai na ndërtoi edhe neve. Mundësia për të folur me të dhe ekipin aktual të “Star Wars” ishte ëndërr e realizuar, dhe gjithmonë do t’i detyrohemi sagës që ndryshoi gjithçka.

"Por dita ka orë të kufizuara, dhe ne mendojmë se nuk mund t’ia japim maksimumin “Star Warsit” dhe projekteve tona në Netflix njëkohësisht. Prandaj, me keqardhje po largohemi".

Presidentja e Lucasfilm, Kathleen Kennedy, tha në deklaratën e saj: "David Benioff dhe Dan Weiss janë tregimtarë të jashtëzakonshëm të rrëfimeve. Shpresojmë t'i përfshijmë ata në udhëtimin tonë në të ardhmen, kur do të jenë në gjendje të largohen nga orari i tyre i ngarkuar për t'u përqendruar në ‘Star Wars’."

Benioff dhe Weiss, të cilët i përshtatën romanet e famshme të zhanrit fantazi të George R. R. Martin për ekranin e vogël, përfunduan me serinë e tetë dhe të fundit të “Game of Thrones” vitin e kaluar, ndërsa sezoni gjashtë-episodësh ua solli atyre 32 kandidime “Primetime Emmy Award”.

Dyshja raportohet se filluan të takohen për ta arritur një marrëveshje të përgjithshme pasi e përfunduan sezonin e tyre të fundit të GoT. Netflix raportohet se u ofroi më shumë se Amazon dhe Disney, për ta fituar marrëveshjen e tyre me showrunnerët e GoT, të cilët do t’i bashkohen krijueses së “Grey’s Anatomy” Shonda Rhimes dhe Ryan Murphy nga “American Horror Story” në kanalin transmetues.