Showbiz

Dan Levy ka arritur marrëveshje bashkëpunimi me Netflixin

Aktori Iinjohur, Dan Levy, e ka arritur një marrëveshje të jashtëzakonshme me platformën Netflix.

Ylli i serialit “Schitt’s Creek” do të punojë në realizimin e disa projekteve filmike dhe televizive, në kuadër të këtij bashkëpunimi.

Puna rreth projekteve të reja televizive pritet të fillojë në korrik të vitit 2022, pasi që Levy ta përfundojë marrëveshjen e tij me kanalin “ABC”, dhe besohet që menjëherë do të fillojë të punojë në realizimin e një komedie romantike, ku vjen në rolin e aktorit, skenaristit, producentit dhe regjisorit.

Deri më tani, nuk janë dhënë më shumë hollësi rreth projektit në fjalë.

Në një prononcim për media, Dan tha: “Netflix ia ofroi serialit ‘Schitt’s Creek’ një shtëpi të dytë në kohën e duhur, dhe hapi dyert për një audiencë krejt të re për ne. suksesi që ky projekt e ka arritur në këtë platformë, vetëm ma ka shtuar gëzimin për të vazhduar të tregoj histori të veçanta dhe domethënëse me ta, si në fushën e televizionit ashtu edhe në atë të filmave artistikë”.

Scott Stuber udhëheqësi i divizionit të filmit në Netflix dhe Bela Bajaria, udhëheqësja e divizionit televiziv, në një deklaratë të përbashkët thanë: “Dan Levy është një talent i jashtëzakonshëm dhe kreativ, i cili me shumë kujdes dhe vëmendje i qaset tregimeve me një perspektivë kuptimplotë. Puna e tij në serialin ‘Schitt’s Creek’ e magjepsi audiencën në të gjithë botën, dhe ne jemi të entuziazmuar që do të jemi partnerë dhe do të krijojmë filma dhe seriale të reja me të”.

Në një intervistë të kaluar, Levy ka folur për planet e tij pas përfundimit të shout “Schitt’s Creek”, me ç’rast ka thënë se dëshiron të rrëfejë histori që kanë domethënie për të dhe që kanë potencial për ta argëtuar publikun. Ai deklaroi se përgjatë gjashtë vjetëve të fundit ka krijuar ide për projekte të shumta, të cilat i takojnë zhanreve të ndryshme, si triler, dramë, komedi dhe mjuzikëll.