Aktori britanik Daniel Craig ka thënë se roli i tij si agjenti James Bond ishte gjithçka për të. Aktori që i dha hov karrierës me rolin e agjentit “007” nuk do të vazhdojë më këtë rol pas realizimit të pjesës së shumëpritur “No Time To Die”. Pjesa më e re për aventurat e Bondit është shtyrë disa herë për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Craig ka pranuar se ishte shumë emocional vendimi për t’i dhënë fund angazhimit në rolin e famshëm të agjentit britanik.
“Ishte gjithçka për mua. Janë afër 16 vjet të jetës sime dhe ishte diçka e jashtëzakonshme realizimi i tyre. Filmat e Bondit nuk bëhen shpesh prandaj të kem këtë mundësi ka qenë gjëja më e mirë e karrierës sime, por edhe një prej ngjarjeve më të mëdha në jetën time. Prandaj ishte emocionale. Jam krenar që po i jap fund në bazë të kërkesave të mia – dhe jam i lumtur që producentët ma kanë lejuar, mirëpo do të më mungojë roli”, ka thënë aktori Craig.
“Ndoshta do të kem ndjesi pak të çuditshme kur aktori tjetër do të marrë rolin”, ka shtuar ai.
Britaniku ka thënë se tema e filmit të ri “është e mbuluar me mister”. Duke folur në emisionin “The Graham Norton Show”, Craig ka thënë se misteri është bërë edhe më i madh për shkak të shtyrjeve të njëpasnjëshme.
“Ishim të shqetësuar për lansimin dhe e kemi fshehur. Nuk ia kemi treguar askujt filmin, por jemi të bindur se është i mirë dhe njerëzit do të duan ta përjetojnë në kinema. Kanë ndodhur shumë gjëra për filmin, por nuk dua të hyj në detaje. Mund të them se fillojmë aty ku e lamë me Spectren”, ka thënë në fund Daniel Craig.