Ngjarja madhore e San Diegos, “Comic-Con”, është anuluar për herë të dytë në 50 vjetët e historisë së saj, dhe tani do të zhvillohet online. Kjo për shkak të pandemisë së vazhdueshme të koronavirusit.
E njohur si një ngjarje e rëndësishme e showbizit, e cila i mbledh në një vend të gjithë adhuruesit e librave komikë, dhe tradicionalisht ndiqet nga më shumë se 167.000 njerëz, “Comic-Con” këtë vit vjen me disa ndryshime në mënyrën e organizimit, duke u mbajtur në formatin virtual nga 23 deri më 25 korrik.
Megjithëkëtë, organizatorët kanë bërë të ditur se po planifikojnë ta mbajnë një ngjarje më të vogël në muajin nëntor, ku adhuruesit e librave komikë do të kenë mundësi të takohen fizikisht dhe ta festojnë pasionin për këtë zhanër të artit.
“Këta muajt e fundit kanë qenë mjaft të rëndë për të gjithë, prandaj shpresojmë se kjo përpjekje e jona për ta organizuar këtë ngjarje në formë virtuale, është një lëvizje e vogël drejt rikthimit të shprehisë për t’u mbledhur si komunitet për ta festuar artin, shoqërinë, edukimin dhe frymën e qëndrueshme të tifozërisë, që në fakt është pjesë e madhe e ngjarjes ‘Comic-Con”, thuhej në një prononcim për media të lëshuar nga organizatorët.
Në vitin 2020, ngjarja e profilit të lartë e cila zë vend në San Diego, “Comic-Con”, ishte anuluar për herë të parë në 50 vjetët e historisë së saj. Sivjet, ajo u zëvendësua me eksperiencën e re virtuale, një gjë që tashmë është shndërruar në normalitetin e ri në epokën e COVID-19.
“Comic-Con” po ashtu e tërheq një numër të madh të publikut për shkak të pjesëmarrjes së yjeve të Hollywoodit, të cilët mbajnë konferenca për shtyp dhe i promovojnë filmat e tyre me superheronj.