Regjisori i njohur Danny Boyle ka konfirmuar se aktori irlandez Cillian Murphy do të jetë pjesë e filmit të dytë të trilogjisë së re horror “28 Years Later”, me titullin “The Bone Temple”, i cili pritet të dalë në vitin 2026.
Murphy, i cili u bë i njohur për rolin e të mbijetuarit Jim në filmin e parë të kësaj serie filmash, me emrin “28 Days Later” në vitin 2002, nuk do të paraqitet në filmin e parë të trilogjisë së re që del më 20 qershor, por Boyle e konfirmoi praninë e tij në vazhdim.
“Ai është në filmin e dytë. Nuk duhet të zbuloj shumë. Do të më vrasin!”, ka thënë Boyle për IGN, ka raportuar FemaleFirst.
Filmat “28 Years Later” dhe “The Bone Temple” janë xhiruar njëri pas tjetrit, dhe përfshijnë aktorë të njohur si Ralph Fiennes, Jodie Comer, Jack O'Connell dhe Aaron Taylor-Johnson. Por filmi i tretë i kësaj trilogjie ende nuk ka siguruar financim.
“Secili nga filmat ka një histori që përmbyllet, por gjithashtu përmban një segment që e lidh me vazhdimin. Është një projekt shumë ambicioz. Nuk e kemi ende buxhetin për të tretin. Gjithçka do të varet nga suksesi i të parit. Nëse ia dalim mirë, shpresoj që të na japin miratimin për financim. Të gjithë janë në pritje. Edhe Cillian”, ka shpjeguar regjisori.
I pyetur nëse do të ishte i gatshëm ta drejtonte edhe filmin e tretë, Boyle ka pohuar me siguri.
“100 për qind po. Do të doja shumë. Nëse Zoti do, dhe me shëndet të mirë... Por gjithçka varet nga rezultati i filmit të parë. Ndoshta nuk do të më doni më pas. Nuk i dihet kurrë. Ka shumë opsione”, ka thënë regjisori.
Në një tjetër intervistë për Business Insider, ai ka shtuar se të gjithë duhet të presin Murphyn.
“Gjithçka që mund të them është: prisni Cillianin. Shpresoj që prania e tij të na ndihmojë për ta financuar filmin e tretë”, pati thënë Boyle.
Këto deklarata vijnë pas konfirmimit nga producenti Andrew Macdonald, i cili për Empire Magazine ka thënë se Murphy nuk është pjesë e filmit të parë të trilogjisë.
“E donim pjesëmarrjen e tij dhe edhe ai donte të ishte pjesë e projektit. Ai nuk është në filmin e parë, por shpresoj që do ta shohim Jimin diku më tej. Aktualisht ai është i përfshirë si producent ekzekutiv dhe shpresoj që të punojmë me të në ndonjë formë gjatë trilogjisë”, ka thënë ai.