Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Chris Martin dëshiron të bëhet yll i Broadwayt

Kantautori i njohur britanik, Chris Martin, thotë se dëshiron të bëhet yll i Broadwayt.

Rokeri 45-vjeçar, i cili në të kaluarën deklaroi se bendi i tij “Coldplay” do të ndalojë së krijuari muzikë në vitin 2025, ka treguar se tashmë ka filluar të mendojë për hapin e ardhshëm në karrierë dhe një prej ëndrrave të tij më të mëdha, është që të luajë në një shfaqje muzikore të bazuar në projektin hit të Disneyt, “Mary Poppins”, raportoi të hënën portali “Female”.

“E kam një ëndërr të kamotshme që të luaj në shfaqjen ‘Mary Poppins’ në skenën e Broadway. Por ka kohë për t’u realizuar një projekt i tillë”, ka deklaruar Martin.

Ylli i hitit “Yellow” i ka bërë disa paraqitje të vogla si aktor në serialet, “Modern Family” dhe “Curb Your Enthusiasm”, por ai e pranon se nuk e konsideron veten aktor të mirë dhe i duhet të marrë leksione nga profesionistët e kësaj fushe.

“Seriali ‘Modern Family’ ishte i preferuari i vajzës sime atëkohë, dhe ne e krijuam një lidhje përmes këtij shou. Ndërsa rolin e shkurtër në serialin ‘Curb Your Enthusiasm’ nuk kisha si ta refuzoja. Unë nuk jam aktor, kjo është e qartë, por më pëlqen të kem role të vogla herë pas here në projekte të ndryshme”.

Ndoshta për t’u përgatitur si aktor do ta ndihmojë e dashura e tij, Dakota Johnson, me të cilën ka 5 vjet që është në lidhje. Në të kaluarën Chris Martin ka qenë i martuar me aktoren e shpërblyer me “Oscar”, Gwyneth Paltrow, me të cilën i ka dy fëmijë.

Artikuj të ngjashëm