Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Chris Hemsworthit i pëlqeu Thori ndryshe në “Avengers” të fundit

Chris Hemsworth në intervistën e tij të fundit për Variety e zbuloi se si ndihej për zhvillimin e personazhit të Thorit në Avengersat e rinj.

Filmi i 22 i Marvel për superheronjtë, Avengers: Endgame, në mbarë botën deri më tani i ka fituar 2.6 miliardë dollarë amerikanë (që ende nuk janë të mjaftueshme për ta kapërcyer Avatarin e Cameron nga pozita e parë, i cili i ka fituar më shumë se 2.7 miliardë dollarë) dhe shumë i befasoi me Thorin paksa më të ndryshëm. Perëndia nordike e vetëtimës në këtë film ishte pak më i ndryshëm, me një mjekër të rritur dhe bark më të fryrë.

Hemsworthi në intervistë zbuloi se ishte argëtuar me transformimin: "Fizikisht, ishte kërkues, i kam kaluar 3 orë të mira në modelin e flokëve dhe në grim. Kishte shumë punë edhe rreth kostumit prostetik sidomos për skenat ku isha pa bluzë. Veshja peshonte rreth 40 kilogramë kështu që ishte e lodhshme... Kisha pesha në duar dhe kyçe të këmbëve që të mund të lëvizja në set... Më pëlqeu shumë ky version i Thorit, ishte krejt ndryshe nga të gjitha mënyrat në të cilat e kam luajtur atë personazh", zbuloi ai. Në set ai veten e quajti Lebowski Thor siç e quajnë edhe tek Avengers, dhe në mes të filmit është dashur të bëhet përsëri ai Thori i famshëm me trup të bukur, por i bindi producentët që në të gjithë filmin të mbetet i njëjtë.

Aktori thotë se edhe pjesës tjetër të ekipit i pëlqente pamja e tij e re, dhe shpesh e përqafonin sikur të ishte një arush i madh pelushi ose ia përkëdhelnin barkun sikur të ishte shtatzënë: "U përpoqën të ulen në prehrin tim sikur të isha Babadimri. U ndjeva si plak, si një gjysh me një grumbull të madh fëmijësh përreth."

Image

Pas suksesit të madh në Avengers të Marvel në kinema më 13 qershor mbërrin vazhdimi i ri i filmit “Men in Black” me titullin “Men In Black: International” në të cilin Chris Hemsworth e luan rolin kryesor së bashku me Tessa Thompson, e cila ka luajtur me të edhe në Avengers (Valkyrie), shkruan KOHA Ditore.