Pasi që njoftuan për fejesën së fundmi, pas vetëm 6 muajve të lidhjes, aktori Chris Pratt dhe e bija e muskulatorit më të famshëm në botë Arnold Schwarzenegger, Katherine Schwarzenegger, për herë të parë u paraqitën së bashku në premierën e filmit "The Avengers: Endgame", duke mos e fshehur faktin se sa të lumtur dhe të dashuruar janë.
Kohët e fundit u mësua se Chris Pratt pas ndarjes nga bashkëshortja e tij shumëvjeçare, Anne Faris, është përsëri i dashuruar. Atij ia ka rrëmbyer zemrën e bija e muskulatorit më të njohur në botë Arnold Schwarzenegger, Katherine Schwarzenegger, të cilën aktori hollivudian e fejoi pas vetëm gjashtë muajsh lidhjeje.

Edhe pse paparacët i fotografuan së bashku disa herë, çifti e mbajti dashurinë e tyre larg kamerave, deri në premierën e vazhdimit më të ri të serialit filmik "The Avengers" në Los Angeles. Aktori 39-vjeçar, i cili në film e luan Star-Lordin, iu bashkua kolegëve të tij në qilimin e kuq në Convention Center, dhe me vete e mori të fejuarën e tij dhjetë vjet më të re, shkruan KOHA Ditore.
Kjo është edhe hera e parë që çifti i famshëm vendosi të paraqitet së bashku në një tepih të kuq ose ndonjë ngjarje publike të përcjellë me kamera. Gjatë gjithë kohës çifti i buzëqeshur pozoi për fotografët, duke shkëmbyer shikime dhe prekje të buta.