Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Charlize Theron e ka përjetuar ditëlindjen e ëndrrave

Foto: AP/Associated Press

Gjatë fundjavës ylli i kinematografisë, Charlize Theron, e ka festuar ditëlindjen në mënyrën të cilën e ka ëndërruar gjithnjë.

Aktorja e famshme hollywoodiane i mbushi 46 vjet të dielën, dhe këtë ditëlindje e festoi duke e organizuar një ndejë në anije me temën e mbrëmjes së maturës së viteve ’80 të shoqëruar me zgjedhjen e misterit të një vrasjeje.

Dhe për ta shënuar këtë ditë speciale, theron e shfrytëzoi rrjetin social Instagram për ta ndarë një fotografi nga ndeja, të shoqëruar me mesazhin: “Epo, unë kurrë nuk kam pasur rastin të shkoja në mbrëmje të maturës por për ditëlindjen time këtë vit, miqtë e mi vendosën ta ndryshojnë këtë fakt. I dua këta njerëz më shumë se fjalët mund ta përshkruajnë. Vetëm ata kanë mundur ta dinë që një ndejë në anije me temën e mbrëmjes së maturës së viteve ’80 dhe zgjidhja e misterit të një vrasjeje, është në të vërtetë ditëlindja e ëndrrave të mia. Çfarë familje dhe çfarë nate e mrekullueshme”.

Theron po ashtu e postoi një fotografi me gjithë pjesëmarrësit në ditëlindje, ku përfshiheshin edhe dy fëmijët e saj, Jackson dhe August. Ndërkohë, aktorja në të kaluarën kishte treguar se nuk brengoset shumë për plakjen dhe se e ëma e saj, Gerda, ndihmoi në formimin e perceptimit të saj për bukurinë, e cila nuk bazohet në moshë.

Charlize Theron është një aktore e lindur në Afrikën Jugore më së miri e njohur për role në filma me buxhet të lartë si, “Monster”, për të cilin e fitoi një shpërblim “Oscar”, “Snow White and the Huntsman”, “Mad Max: Fury Road”, “The Fate of the Furious” dhe “Atomic Blonde”.

Aktorja dhe filantropja, Theron, u lind më 7 gusht të vitit 1975 në fshatin Benoni të Afrikës Jugore nga prindërit Charles dhe Gerda. Në moshën 16-vjeçare, aktorja kishte marrë pjesë në një garë të modelimit, ku edhe kishte triumfuar, përfshirë edhe garën “International New Model Today” në Itali, çka edhe e kishte nisur karrierën e Theronit si modele. Por në moshën 18-vjeçare ajo kishte udhëtuar drejt New Yorkut për ta ndjekur ëndrrën e saj për t’u bërë valltare, por për shkak të një lëndimi në gjunjë, Theron ishte detyruar ta braktiste karrierën e saj si valltare. Nga ai moment, Charlize kishte vendosur të merrej me aktrim, duke u zhvendosur në Los Angeles.

Në vitin 1999, aktorja i fitoi disa role të madha në filma të tillë, si: “The Astronaut’s Wife”, ku luajti krahas aktorit Johnny Depp, “The Cider House Rules”, “Sweet November”, ku sërish u bashkua në ekran të madh me aktorin Keanu Reeves dhe “The Italian Job”, ku luajti krahas aktorit të njohur për filma aksion, Mark Wahlberg. Kulmin e suksesit në karrierën e saj si aktore, Theron e arriti me rolin transformues në filmin biografik “Monster”, ku ajo e portretizoi vrasësen Aileen Wuornos. Për këtë rol, aktorja e shquar në mbarë botën për bukurinë e saj, u desh të transformohej tërësisht dhe të shndërrohej në një grua të vrazhdë dhe me pamje të frikshme. Kjo performancë e mrekullueshme ia fitoi shpërblimin e parë “Oscar”, një shpërblim “Globi i Artë”, si dhe e vulosi emrin e saj në Hollywood.

Vitet 2000 ishin të pasura për aktoren bukuroshe, me role në filma të ndryshëm, si: “The Life and Death of Peter Sellers”, “North Country”, “Arrested Development”, “Hancock”, “The Road”, “Young Adult”, “Snow White and the Huntsman”, “Prometheus”, “A Million Ways to Die in the West”, “Mad Max: Fury Road”, “Dark Places”, “Atomic Blonde”, “The Fate of the Furious”, “Long Shot”, “The Addams Family”, “Bombshell”, “Old Guard” dhe filmi i saj i fundit “Fast and Furious 9”.

Artikuj të ngjashëm