Në të njëjtën ditë kur u hap Festivali i Filmit në Cannes, aktori i njohur francez Gérard Depardieu u shpall fajtor për sulm seksual ndaj dy grave gjatë xhirimeve të filmit “The Green Shutters” në vitin 2021. Ato deklaruan se Depardieu i kishte prekur në mënyrë të pahijshme dhe u kishte folur me gjuhë vulgare.
“Gjigandët e kinemasë nuk janë më të paprekshëm”, shkruante një media franceze, ndërsa një tjetër theksonte se lajmi “tronditi” hapjen e festivalit, ka raportuar BBC.
Depardieu, 76 vjeç, ikonë e kinemasë franceze me mbi 200 filma, u dënua me 18 muaj burgim me kusht, një gjobë prej 29 mijë eurosh dhe u regjistrua në listën e abuzuesve seksualë. Sipas avokatit të tij, ai do ta apelojë vendimin.
Edhe pse mbi 20 gra kanë ngritur akuza ndaj tij, ky është rasti i parë që përfundon në gjykatë.
“Kur bie një monument, është gjithmonë simbolike dhe e fuqishme... Industria e filmit në Francë e kishte dënuar atë shumë kohë më parë. Ai s’ka xhiruar asgjë prej tre vjetësh. Karriera e tij ka marrë fund”, i ka thënë BBC-së ekspertja për marrëdhënie me publikun Agnès C. Poirier.
Atmosfera në Cannes
Depardieu e ka pasur një lidhje të ngushtë me Festivalin e Cannes. Në vitin 1990 fitoi çmimin aktori më i mirë për “Cyrano de Bergerac”, film që e katapultoi drejt famës botërore. Por këtë vit, kryetarja e jurisë, Juliette Binoche, u shpreh: “Ai nuk është më i shenjtë”.
“Ai ishte një nga bijtë e Cannes. Por tani, trashëgimia e tij është në pikëpyetje”, ka shtuar Eve Jackson, redaktore e kulturës në mediumin “France 24”.
Vitin e kaluar, lëvizja #MeToo pati jehonë në festival, ku aktorja Judith Godrèche prezantoi filmin “Moi Aussi”, me qindra viktima të abuzimit seksual që qëndronin në heshtje në rrugët e Parisit. Ndërsa këtë vit, 7 filma në garën kryesore janë nga regjisore gra dhe disa trajtojnë temën e abuzimit.
Drejt ndryshimit të madh
Rasti i Depardieu është pjesë e një vale dënimesh që po shkundin industrinë franceze. Në shkurt, regjisori Christophe Ruggia u dënua për abuzim seksual ndaj aktores Adèle Haenel, e cila u tërhoq nga industria duke e quajtur “të kalbur moralisht”.
“Ka një ndryshim të madh në ajër. Aktorët e rinj po denoncojnë më shumë dhe fuqia e regjisorëve nuk është më e pakontestueshme”, ka thënë Jackson për BBC.
Megjithatë, një raport parlamentar i publikuar në muajin prill evidenton se abuzimi mbetet “endemik” në industrinë franceze të argëtimit, me vetëm katër koordinatorë për skenat e intimitetit në të gjithë Francën, krahasuar me 100 në SHBA.
Presidenti Macron kishte thënë më herët se Depardieu “e ka bërë Francën krenare”. Aktorë të brezit të vjetër si Fanny Ardant dhe Brigitte Bardot e kanë mbështetur publikisht.
Por Jackson thekson se kjo lloj mendësie po shihet si e tejkaluar.
“Mbrojtësit e tij janë nga një epokë tjetër. Sot, avokatët që e quajnë një viktimë ‘histerike’ apo ‘feministe radikale’ gjykohen rëndë, madje edhe gjyqtari vendosi gjobë shtesë për këtë gjuhë,” shton ajo.
Në fund, për brezin e ri Depardieu është më pak një ikonë dhe më shumë një simbol i një epoke të kaluar.
“Ndoshta për ata mbi 60 vjeç ai është ende një figurë e madhe, por për të rinjtë kjo histori s’ka më interes”, ka thënë Jackson.