Këngëtarja me famë botërore, me origjinë shqiptare, Dua Lipa, ka treguar se ajo që e ka inspiruar ta titullojë albumin e ri “Radical Optimism”, është mësimi nga gabimet.
“Optimizmi radikal është diçka që më ka bërë të reflektoj përgjatë viteve të fundit. Kështu u ndjeva edhe në incizimet e reja e ato të mëparshme. Gjithçka kishte të bënte me mësimin nga eksperiencat, duke marrë gjithçka si mësim”, ka thënë Lipa për “Variety”.
Ajo ka shtuar se gjithçka e konsideron si mësim duke i parë situatat si një lloj dhurate dhe ka qenë mirënjohëse ndaj çdo eksperiencë pasi po ndihet sikur po rritet duke u bërë person më i mirë e më i fortë.
Këngëtarja ka thënë se këto eksperienca e kanë shtyrë të japë më të mirën nga vetja, në mënyra të ndryshme.
“Flas shpesh rreth të qenit jashtë zonës së rehatisë, sepse kjo gjë të bën të rritesh si person duke të futur në situata jo të rehatshme e të veprosh në situata të papritura kur nuk ke kohë të ndalesh e të mendosh dhe thua me vete: ‘Kjo nuk do të duhej të ndodhte’, por ndodh”, ka thënë shqiptarja.
Edhe
Dua Lipa me koleksion veror në kuadër të albumit “Radical Optimism”
Pastaj ajo ka shpjeguar se mënyra se si dikush vepron në situata të tilla të pakëndshme është diçka që tregon se si dikush reagon kur kalon nëpër flakë - se si i tejkalon këto çështje të vështira.
“Kjo është diçka që më bëri të reflektoj”, ka deklaruar Lipa.
Ajo iu referua situatave të ndarjes nga i dashuri, largimit nga puna apo edhe prishjes së shoqërisë së gjatë si “momente të pakëndshme”.
“E kam fjalën për diçka që nuk është duke shkuar mirë, çfarëdo lloj situate të jetë, ndarje nga i dashuri, ndarje nga një marrëdhënie e gjatë pune apo edhe ndonjë shoqëri që nuk po ecë në drejtimin e duhur”, ka shpjeguar ylli.
Këngëtarja mendon se jeta është e paparashikueshme dhe se mund të sjellë shumë të papritura e njerëzit mund të të habisin përgjatë gjithë kohës.
“Ndonjëherë reflekton ndaj një situate duke thënë me vete: ‘kjo është diçka që më ka lënduar shumë dhe nuk do t’i besoj më askujt’. Por nuk mund të jetohet jeta ashtu. Nëse dikujt i ndodhë ndonjë situatë prej së cilës lëndohet, ndoshta ka ndodhur për një arsye”, ka thënë 28-vjeçarja.
Ajo ka shtuar se këto lloj situatash ndodhin në mënyrë që dikush të ecë përpara e të mos stagnojë dhe se ndihet falënderuese kur i ndodhin vetë asaj.
Edhe
Dua Lipa me “Optimizëm Radikal” në muzikën dhe aktivitetet e saj
Albumi i ri i Dua Lipës, “Radicak Optimism”, është i treti me radhë dhe do të publikohet më 3 maj 2024.
Përgatiti: Vita Abrashi-Kajtazi