Showbiz

Cardi B mendon se homofobët janë thjesht të shëmtuar

Foto: AP/Associated Press

Rep artistja e njohur amerikane, Cradi B, mendon se homofobët janë njerëz të shëmtuar.

Ylli i muzikës rep që e gëzon një karrierë jashtëzakonisht të suksesshme, e ka shfrytëzuar rrjetin social Twitter për t’i kritikuar homofobët dhe për ta shfaqur publikisht mbështetjen e saj për komunitetin e homoseksualëve.

29-vjeçarja e famshme në postimin e saj të fundit shkroi: “Çdo grua e fuqishme e ka një mik të ngushtë ose kushëri që është homoseksual. Nëse je një homofob, atëherë thjesht je person i shëmtuar për mua”.

Ndërkaq, në të kaluarën Cardi përmes rrjeteve social kishte reaguar ndaj akuzave të një fansi i cili e kishte quajtur atë homofobe.

“Si mund të jem person homofobik apo transfobik? A ju ka ndodhur juve ndonjëherë të ballafaqoheni me prindër që nuk mund t’ju pranojnë për shkak të orientimit tuaj seksual? Unë i kam thënë disa gjëra injorante në të kaluarën për të cilat kam kërkuar falje dhe e edukova veten për këtë, por kjo nuk do të thotë se jam një homofobe”, deklaroi ylli i hitit “WAP”.

Tutje, reperja shpjegoi se e ka pasur një anëtarë të familjes që është ballafaquar me orientimin e tij seksual.

“Unë nuk e mbështes komunitetin LGBT për shkak se kam adhurues që janë homoseksual. Unë e mbështes këtë komunitet për shkak të ndjenjave të përziera që i kisha si e re, rreth asaj nëse ishte normale ta pëlqeje një grua. I mbështes ngaqë e di sa e vështirë ishte për kushëririn tim homoseksual të deklarohej rreth orientimit seksual para familjes së tij dominikane dhe shumë të rreptë. I mbështes për shkak se e njoh dhimbjen që e ka përjetuar kushëriri im tjetër që është transeksual, dhe i cili ende vazhdon të ketë raporte të këqija me babanë e tij. I mbështes ngaqë jam e vetëdijshme për vështirësitë me të cilat janë përballur pjesëtarë të shumtë të ekipit tim, për faktin se janë homoseksualë, përfshirë këtu edhe motrën time e cila u desh të deklarohej si lesbike para prindërve tanë që janë shumë religjiozë. Prandaj, para se ta shndërroni të trend për të më quajtur person homofob apo transfob, ju sugjeroj që fillimisht ta kuptoni se çfarë kuptimi kanë këto dy fjalë dhe të hulumtoni mbi përkrahjen dhe kurajën që ia kam dhënë komunitetit LGBT, shumë kohë para se ju ta dinit se kush është Cardi B”, shkroi ajo në Twitter.

Cardi B është e martuar me yllin e grupit të njohur të muzikës rep “Migos”, Offset, me të cilin e ka vajzën 3-vjeçare, Kulture dhe djalin e vogël të cilin e solli në jetë në shtator të vitit 2021. Çifti ende nuk e ka bërë publik emrin e foshnjës së vogël.