Showbiz

Cardi B e urren internetin që mundohet të krijojë përçarje mes saj dhe Billie Eilishit

Nuk ka raporte të këqija mes reperes Cardi B dhe këngëtares Billie Eilish, dhe ato e vërtetojnë vet këtë gjë.

Të martën (3 maj), ylli i hitit “Ocean Eyes” u bë lajm në mediat online pas publikimit të një videoje nga ndeja e organizuar nga rep artistja amerikane, pas ngjarjes “Met Gala”. Në këtë video, Cardi shfaqet duke i përshëndetur të ftuarit dhe Eilish shihet duke i thënë një personi afër saj, “Ajo është e çuditshme”. Por incizimi, i cili nuk shpalos asnjë hollësi apo kontekst shtesë, u interpretua gabimisht nga publiku i gjerë, raporton portali “Billboard”.

Sipas dy artisteve, narrative e krijuar nga kjo video është plotësisht e gabuar. Më vonë ato e diskutuan gjithë situatën përmes videomesazheve në Instagram, ku këngëtarja 20-vjeçare Eilish dëgjohet duke e shpjeguar çfarë ka dashur të thotë me këtë koment. Më pas Cardi e ndau këtë mesazh me ndjekësit në Twitter, për ta zbardhur dramën e krijuar nga publiku.

“Zot i madh, kisha frikë se do ta shihje këtë video. Unë po i quaja njerëzit përreth teje të çuditshëm, sepse të gjithë po të afroheshin me telefona mobil dhe po thosha, ‘thjeshtë shikojeni me sy dhe mos e xhironi atë pa nevojë’”, dëgjohet duke thënë Eilish në mesazhin drejtuar Cardit.

Kurse ylli i hitit “WAP” i përgjigjet: “Interneti po provon të na ndajë. Ata nuk e kuptojnë se ti je bebja ime. E urrej dramën që e shkakton interneti. Nuk e kuptoj si është e mundur që një ndejë të vogël e intime, arrini ta shndërroni në diçka kaq dramatike? Sa për t’ju informuar, ‘Ocean Eyes’ është një prej këngëve që ia lëshojë vajzës sime shumë shpesh. Dhe Billie është bebja ime. Dje, pas ceremonisë ‘Met Gala’ e deri tek ndeja ime gjithçka kaloi pa drama dhe situata të pakëndshme. Pse gjithmonë dëshironi të shkaktoni përçarje mes artistësh? Unë e dua Billien dhe nuk ka hatërmbetje mes nesh”.

Cardi B fillimisht e kishte çaktivizuar llogarinë e saj në Twitter në fillim të muajit prill, pasi mori reagime të ashpra nga fansat për mospjesëmarrjen në ceremoninë “Grammy”, por u kthye në këtë platformë vetëm disa ditë më vonë.