Showbiz

“Captain Marvel” i tejkalon 1 miliard dollarë

Filmi më i ri superheroik i Marvelit, “Captain Marvel”, sapo i ka kaluar një miliard dollar në të ardhura në kinematë në mbarë botën. Ky film është i shtati i cili arriti t’i inkasojë një miliard në botën e filmit Marvel dhe iu bashkua të tjerëve nga kjo botë, ndër të cilët janë “Black Panther” dhe “Avengers: The Infinity War”.

Pasi u paralajmëruan ardhja e saj në fund të filmit “Infinity War”, adhuruesit në mbarë botën me padurim e pritën Captain Marvel ta marrë rolin kryesor në filmin e saj, ndërsa Brie Larson do ta përsërisë rolin e saj edhe në filmin tjetër në pritje – “Avengers: Endgame’.

Image

Ky sukses i madh i filmit erdhi pikërisht në momentin kur filloi "periudha" për Endgame, shkruan KOHA Ditore.

Marvel këto ditë e publikoi edhe një teaser të ri për filmin në të njëjtën kohë kur filloi edhe parashitja e biletave për Endgame, e cila i tejkaloi të gjitha pritjet dhe e theu rekordin e shitjeve të biletave, të cilin e mbante filmi “Star Wars: The Force Awakening”, nga viti 2015.

Nuk është aspak e diskutueshme që edhe Endgame do t’i kalojë 1 miliard dollarë në të ardhura, pyetja e vetme është se sa shpejt do ta bëjë këtë. Duke pasur parasysh faktin se filmi do të dalë në të njëjtën kohë nëpër botë, duke përfshirë edhe në tregun e madh kinez, pritet që Endgame do të mundë t’i tejkalojë të gjitha rekordet dhe t’i inkasojë një miliard që në javën e parë.