Aktorja e njohur, Cameron Diaz, ka befasuar gjithë Hollywoodin kur e konfirmoi në mars të 2018-s se ishte pensionuar nga aktrimi, katër vjet pas filmit të saj të fundit, “Annie” të 2014-s.
Ylli 48-vjeçar nuk ka folur shumë për pensionimin që atëherë, por ka shpalosur së fundi vendimin e saj në emisionin “Hart to Heart” të Kevin Hartit.
Diaz ka zbuluar me këtë rast se ende e do aktrimin, porse kishte arritur në atë pikë sa që më nuk mund ta menaxhonte jetën e saj.
Kur është pyetur se çfarë e kishte “motivuar” që të largohej nga aktrimi, Diaz ka thënë se kur bëni diçka “në një nivel vërtet të lartë për një periudhë të gjatë kohore, kur jeni personi që po e jepni këtë gjë ... gjithçka përreth jush, të gjitha pjesët tuaja, duhet t’u jepen njerëzve të tjerë”.
Ajo ka shtuar se aspektet e tjera të jetës, si mirëmbajtja e shtëpisë e deri te financat dhe se një pjesë e saj që funksiononte në një nivel të lartë, nuk ishin më të mjaftueshme.
“Është argëtuese ta bësh, më pëlqen aktrimi. Mund ta bëja përgjithmonë. Ndihem sikur kam energji dhe inerci të pakufizuar”, ka thënë Diaz. Porse ka shtuar se e kuptoi që kishte aq shumë aspekte të tjera të jetës që nuk po arrinte t’i menaxhonte ngase “gjithçka ishte shumë e madhe”.
Kur u pyet se sa vjeçare ishte kur e kishte ardhur deri te ky përfundim, Diaz ka thënë se ishte rreth 40-vjeçare, duke shtuar se ajo kishte shumë miq të mirë dhe njerëz që e kishin mbështetur gjatë, por kishte edhe njerëz të tjerë që nuk punonin në të mirë të saj.
“Por nuk keni kohë t’i merrni vesh këto gjëra nëse thjesht do të punoni vazhdimisht me sy të mbyllur”, ka thënë ajo. “Me të vërtetë vetëm doja që ta merrja jetën time në duar. Përditshmëria ime është se çka mund të arrij të bëj vetë”, ka thënë Diaz.
Ajo ka shtuar se ishte “ndjenja më e mirë” dhe se ndihet “e plotë”, duke shtuar se gjatë kësaj kohe e kishte takuar bashkëshortin Benji Madden dhe krijuan familje, me vajzën Raddix, që ka lindur në dhjetor të 2019-s.