Seanca dëgjimore e yllit të muzikës pop, Britney Spears, nuk do të xhirohet apo incizohet.
Ylli i hitit “Toxic” do t’i drejtohet gjykatës përmes formatit virtual, për të diskutuar rreth faktit se nuk ka pasur fare kontroll mbi pasurinë e saj nga viti 2008, kur këngëtarja publikisht pësoi krizë nervore.
Por, fansat e Spearsit të cilët janë të interesuar të kuptojnë se çfarë po ndodhë me këtë rast dhe ta dëgjojnë versionin e idhullit të tyre, do të mbesin të zhgënjyer për shkak se janë ndërmarrë rregulla strikte rreth këtij procesi gjyqësor.
Mediat dhe të tjerët do të lejohen që virtualisht ta dëgjojnë seancën e cila zhvillohet në Gjykatën e Qarkut të Los Anxhelosit, por zyrtarët kanë lëshuar udhëzime duke thënë se kushdo që merr pjesë në seancë, nuk lejohet të filmojë, incizoj, fotografojë apo të transmetojë drejtpërdrejt nga gjykata në asnjë moment, gjatë ose pas seancës dëgjimore. Pavarësisht nëse pjesëmarrja e tyre në seancë ka qenë në formë virtuale apo kanë marrë pjesë në seancë personalisht.
Kamerat nuk do të lejohen në gjykatë, dhe fotografimi, xhirimi apo incizimi i seancës është plotësisht i ndaluar, brenda në sallë, në korridoret e gjykatës apo edhe në paradhomë.
Në çdo moment gjatë seancës, gjyqtari mund të mbyllë sallën e gjyqit ose të urdhërojë ndërprerjen e lidhjeve virtuale.
Seancat e tillë dëgjimore zakonisht janë private për shkak të natyrës së ndjeshme të informacionit, pasi aty do të diskutohen detajet mjekësore të Spearsit dhe raportet mbi financat e saj si dhe çështjet në lidhje me dy djemtë e këngëtares dhe ish-burrit, Kevin Federline.
Këngëtarja e famshme e muzikës pop rrallë herë i ndjekë seancat gjyqësore, dhe asnjëherë nuk pranon të komentojë publikisht rreth betejës për kujdestari ligjore, e cila po vazhdon tash e sa vjet.
Në muajin mars, avokati i yllit 39-vjeçar e paraqiti një kërkesë në gjykatë duke kërkuar që babai i saj, James Spears, të jepte dorëheqje nga roli i kujdestarit ligjorë. Ekipi ligjor i këngëtares dëshiron që menaxheri i popyllit, Jodi Montgomery, ta merr përsipër këtë detyrë. Kurse Britney refuzon që babai i saj të jetë përgjegjës për bizneset e këngëtares, pasi raportet mes tyre janë prishur tash e sa kohë dhe ata nuk flasin më me njëri-tjetrin.
James Spears ka më shumë se një dekadë që e mbikëqyrë jetën dhe karrierën e Britneyt, si dhe i ka marrë të gjitha vendimet financiare dhe shëndetësore për të bijën. Ai vazhdon t’i mohoje të gjitha akuzat kundër tij duke treguar se një herë në vit është i detyruar ta arsyetojë në gjykatë, çdo cent të harxhuar nga pasuria e vajzës së tij, prandaj është e pamundur të vjedhë nga ajo. Ai po ashtu deklaroi se e do shumë të bijën, por vazhdon të jetë i brengosur për shëndetin e saj mendorë.
Interesimi i publikut rreth çështjes së kujdestarisë ligjore të këngëtares, është shtuar dukshëm pas lansimit të dokumentarit “Framing Britney Spears”, në shkurt të këtij viti.