Showbiz

Britney Spears do të shkruajë libër, kërkon nga fansat ide për titull

Britney Spears është duke menduar që të shkruajë libër për jetën e saj.

Këngëtarja e famshme amerikane e ka bërë këtë të ditur në llogarinë e saj në Instagram, duke thënë se është e hapur për të shkruar një libër në vitin 2022.

Ky vendim i yllit të muzikës pop vjen vetëm pak pasi babai i saj, Jamie Spears është suspenduar edhe zyrtarisht në fund të muajit shtator, nga detyra e tij prej kontrolluesi të jetës dhe pasurisë së Britneyt.

Këngëtarja ndërkohë, ka kërkuar nga fansat që ta ndihmojnë me ide për titullin e librit.

“Psssssss kam lajme të mahnitshme... Po mendoj që të shkruajë një libër, vitin e ardhshëm, por kam dilema lidhur me titullin, kështu që fansat e mi ndoshta mund të më ndihmojnë”, ka shkruar Britney në Instagram.

Më 29 shtator, një juri në një gjykatë të Los Anxhelosit e ka suspenduar Jamien, 69 vjeç, nga roli i tij si kontrollues i pasurisë në vlerë prej 60 milionë dollarësh të këngëtares.

Këngëtarja e cila e ka festuar këtë vendim me pushime luksoze bashkë me të fejuarin e saj, Sam Asghari, u është adresuar fansave të saj në Twitter të hënë, duke shprehur kënaqësinë për këtë, pasi kishte jetuar për plot 13 vjet nën kontroll siç ka thënë ajo, jo vetëm të pasurisë së saj por edhe të jetës personale dhe gjithë karrierës.

Seanca e radhës dëgjimore për kontrollin ndaj Britneyt do të mbahet më 12 nëntor. Një burim i afërt me këngëtaren, ka thënë për revistën “People” se ajo mendon që jeta e saj do të ndryshojë tërësisht me largimin e të atit nga jeta e saj.