Ylli i kinematografisë, Bradley Cooper, ka treguar se para famës që ia sollën filmat “Hangover”, ai kishte luftuar me varësinë nga kokaina dhe alkooli.
Shërimi nga kjo varësi ia ka ndryshuar jetën aktorit për të mirë dhe e gjithë kjo është bërë e mundur falë kolegut dhe mikut të tij, Will Arnett, raporton portali “Entertainment Weekly”.
Këtë rrëfim personal, Cooper e bëri gjatë një interviste për podcastin “Smartless”, të drejtuar nga tre aktorë, Jason Bateman, Sean Hayes dhe Will Arnett. Aty, Bradley foli hapur për sfidat që i ka përjetuar si pasojë e varësisë, mungesës së vetëbesimit dhe gjetjes së vetes në botën e Hollywoodit.
Në vitin 2004, Arnett e kishte vizituar Cooperin në shtëpinë e tij me ç’rast kishte vënë re se aktori kishte harruar të dalë ta shëtisë qenin për t’i kryer nevojat e tij.
“Kjo qe hera e parë që e kuptova se kisha probleme me drogën dhe alkoolin”, deklaroi Cooper i cili tutje tha: “Will m’i tha këto fjalë të cilat nuk do t’i harrojë kurrë. Ai moment ma ndryshoi jetën përgjithmonë. Willi rrezikoi ta bënte atë bisedë të vështirë me mua në korrik të 2004-s, që më vuri në rrugën e duhur për ta ndryshuar jetën time”.
Aktori thotë se në atë kohë gjendej në një vend të errët në jetën e tij kur kishte shumë problem me vetëbesimin.
“Isha i përhumbur. Po ashtu isha i varur nga kokaina”.
Jason Bateman nuk ngurroi ta potencojë faktin që sot, Cooper është e kundërta e personit që ishte në atë kohë, duke e përshkruar mikun dhe kolegun e tij si një burrë të ngrohtë, mendjendritur dhe zemërgjerë.
Nga atëherë, Bradley Cooper ka arritur të shndërrohet në një prej aktorëve më të kërkuar në Hollywood, i ka marrë disa nominime për çmim “Oscar” si aktor, dhe ka krijuar reputacion si regjisor i zoti me filmin e tij debutues, “A Star Is Born”.